Ministria e Ekonomisë ka shpallur dy thirrje publike me 7 milionë denarë mbështetje për kompanitë vendase të industrisë përpunuese, me fokus në bashkëpunimin me universitetet, inovacionin, teknologjitë e reja dhe rritjen e konkurrueshmërisë, përcjell TV21. 5 milionë denarë janë paraparë për projekte kërkimore, zhvillim teknologjik dhe digjitalizim, ndërsa 2 milionë denarë për standarde dhe certifikime, ku ministria mbulon deri në 70% të shpenzimeve, por jo më shumë se 200 mijë denarë për kompani. Aplikimet mund të dorëzohen deri më 15 shtator.
“Me thirrjen e parë publike, në vlerë prej 5 milionë denarë, mbështesim bashkëpunimin ndërmjet kompanive dhe universiteteve përmes realizimit të projekteve të përbashkëta. Ministria mbulon 70 për qind të shpenzimeve të dëshmuara, deri në 500.000 denarë për aplikues. Mjetet janë të destinuara për kërkim dhe zhvillim, inovacion, transferimit të njohurive dhe teknologjive. Me thirrjen e dytë publike me vlerë 2 milionë denarë, investojmë në ngritjen e standarteve dhe përgjegjësinë shoqërore të kompanive. Edhe këtu mbështetja është deri në 70% të shpenzimeve të dëshmuara, përkatësisht deri në 200 mijë denarë për kërkues”, theksoi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës.
