515 nxënës kanë ikur nga Kumanova në më pak se 2 vjet/ Pajaziti: Ekziston mendësia se ky vend nuk bëhet, duhet të ndërmerren masa

TË FUNDIT

Në vitin shkollor 2021/2022, duke përfshirë edhe gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor, 515 nxënës janë çregjistruar nga shkollat e Kumanovës. 124 prej tyre janë larguar për shkak se janë shpërngulur në një komunë tjetër të vendit, ndërsa 391 nxënës për shkak të zhvendosjes në një shtet tjetër. Të dhënat i bëri të ditura Sektori për Arsim i komunës. Sociologu Ali Pajaziti shpërnguljen në vende të tjera e cilëson si plagë të dhimbshme, ndërsa shton se ky trend nuk ka të ndalur.

“Ekziston mendësia se ky vend nuk bëhet dhe sado që ne të punojmë dhe veprojmë dhe të ngritemi, avancohemi, iluminohemi është e kotë sepse në fund vendos padroni, padroni për momentin është partia, ose partitë të cilat me çelësin e poltronizimit dhe me çelësin e atyre të dëgjueshmëve, vendosin për fatin tonë, të individëve por edhe fatin kolektiv për fat të keq.”- deklaroi Ali Pajaziti, Sociolog.

Fenomeni i shpërnguljeve jashtë vendit ka prekur çdo qytet. Në katër muajt e kaluar apo gjysmëvjetorin paraprak rreth 200 nxënës të shkollave të Tetovës kanë ikur jashtë shtetit. Kjo nënkupton se janë shuar rreth 8 paralele.

“Me fillimin e gjysmë vjetorit të dytë në shkollat e mesme kërkuam informacion nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme se sa nxënës kanë marrë fletëshpërngulje, ku nga informacionet nga shkollat fillore kanë marrë 143 nxënës, ndërsa nga shkollat e mesme fletëshpërngulje kanë marrë 59 nxënës dhe në qoftë se këta numra i përllogaritim në numër të paraleleve, duke marrë minimum prej 25 nxënës në një paralele, i bie që kemi tetë paralele më pak.”- thotë Nazmi Dauti, Sektori i Arsimit.

Në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor nga Prilepi janë çregjistruar 130 nxënës. Sociologu Pajaziti apelon te institucionet që të ndërmarrin masa për të nxitur shpresën tek të rinjtë dhe pjesa tjetër e popullatës, sepse siç thotë, po na ikë rinia dhe qytetarët me diploma.