500 fëmijë kanë humbur të drejtën për shtesa fëmijërore që në momentin kur është rritur paga minimale në 18 mijë denarë. Këtë të dhëne e bëri të ditur sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska e cila shtoi se ky numër nuk është i madh.
“Nuk është numër i madh i qytetarëve që kanë humbur të drejtën e shtesës fëmijërore, jo më tepër se 500 fëmijë e kanë humbur këtë të drejtë, që do të thotë se tek familjet e këtyre 500 fëmijëve kemi më tepër të ardhura në buxhetin familjar përmes rritjes së pagave”, pohoi Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Problemin me ndërprerjen e shtesave fëmijërorë, para 3 muajve në TV21 e bëri të ditur drejtori i Qendrës për Punë Sociale Shkup, Liridon Baftiju. Kërkoi që ky problem të rregullohet me ndryshimin të rregullores, megjithatë Trençevska shtoi se nuk do ta rritet pragu për marrje të shtesave fëmijërore dhe të shtesës për arsimim, por do të rritet vazhdimisht paga minimale.
“E rritëm pagën minimale në marsin e këtij viti me një zgjidhje sistematike që nënkupton rritje të vazhdueshme të pagave, gjegjësisht rritje të pagës minimale. Paga minimale do të rritet edhe në vitin 2023 në përputhje me metodologjinë e re që do të thotë më shumë të ardhura në familjet që marrin pagë minimale”, tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Mirëpo sipas ministres Trençevskës familjet që kanë humbur këtë të drejtë tani marrin më shumë nëpërmjet pagës minimale. Sipas saj qëllimi i Qeverisë nuk është që t’i mbajë qytetarët në sistemin për kujdes social, por që në sistemin për kujdes të mund të hynë ata që janë kategori më të prekura dhe ata të cilët janë materialisht të pasigurt.
