20 fëmijë pozitivë me virusin korona po trajtohen në Institutin për sëmundje të Mushkërive tek fëmijët Kozle. Pesë nga pacientët e vegjël janë në mbështetje të oksigjenit. Foshnja 20 ditëshe është pacienti më i vogël i shtruar në këtë spital. Foshnja ka rezultuar pozitiv nga nëna e tij, sikurse edhe shumë fëmijë të tjerë, thotë drejtori i këtij spitali Besnik Zeqiri.
“Sot kemi të shtrirë 20 fëmijë në Institucionin tonë, prej të cilëve kemi edhe më të vegjël edhe më të rritur, në përgjithësi grup moshat që nga fillimi i valës së katër kanë qenë nga 0-2 vjet dhe pastaj nga 9 deri 15 vjet. Nga 20 që i kemi 5 janë në mbështetje të oksigjenit, varësisht për çfarë sëmundje të mëparshme bëhet fjalë, në përgjithësi ata fëmijë që kanë komorbiditete apo sëmundje kronike të mëparshme, posaçërisht me sëmundje të mushkërive te ata fëmijë klinika zhvillohet pak më e rëndë dhe ata kanë nevojë për mbështetje të oksigjenit gjatë qëndrimit në spital”, tha Besnik Zeqiri – Drejtor i ISHP Kozle.
Gjendja shëndetësore e fëmijëve në përgjithësi është e mirë. Më të rrezikuar janë fëmijët e moshave nga 10 deri në 16, sidomos ata që janë në mbipeshë, tha drejtori i spitalit. Përndryshe në oborrin e spitalit Kozle gjendet edhe spitali modular. Në pyetjen se a ka fëmijë të hospitalizuar aty, Zeqiri tha se deri tani nuk ky spital modular nuk është futur në funksion.
“Te në është pjesa modulare, por që nga fillimi që kur është sjell nuk është vendosur në punë, sepse ajo nuk është pjesë për kapacitet, nuk është kapacitet plus, por është vetëm pjesa ku bëjmë triazhin domethënë të vijnë të kontrollohen pacientë dhe pastaj prej aty të sillen në zonën e gjelbër apo zonën e kuqe”, shtoi Besnik Zeqiri – Drejtor i ISHP Kozle.
Drejtori i këtij spitali apelon te prindërit që të vaksinohen që mos të vijë deri të infektimi i fëmijëve me këtë virus. Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik për javën e kaluar, sa i përket grup moshës nga 0 deri 9 vjeç për një javë janë regjistruar 95 raste pozitive.
