Ka punuar për 10 vite në këtë ekspozitë, që përbëhet prej 4 pjesëve.
“4 performanca, një ide” është projekti i radhës i profesorit Miftar Memeti, i cili përfshin katër njësi tematike në të cilën autori ka punuar një kohë të gjatë. 4 mozaikët përbëhen nga dhjetëra portrete e që kur bashkohen, në sfond japin një figurë, një portret të vetëm. Ideja ka nisur nga shënimi i 100 vjetorit të shenjtores “Nënë Tereza”. Në këtë projekt janë të përfshirë edhe artistë të tjerë të cilët kanë punuar portretet e mozaikëve, shpjegon piktori.
“Me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, vendosa pak më ndryshe, vendosa t’i përfshijë edhe kolegët e mi, studentët e mi dhe me rastin e shenjtërimit nuk bëra 100 portrete, por bëra 87 portrete, 87 piktura që korrespondojnë me vitet e Nënë Terezës, 87 vjet. Kështu që kolegët bën nga një pikturë në bazë të kërkesave të mia. Nga një pikturë autoriale të tyre”, deklaroi piktori, Miftar Memeti.
Këto lloje të mozaikëve janë një risi në krijimtarinë e Memetit, e cila e veçon nga kolegët e tjerë artistë. Ka përdorur teknikën vaj në pëlhurë, akril dhe karton.
“Si zakonisht piktorët punojnë në teknikën vaj në pëlhurë, unë kam përdorur edhe akril edhe karton. Çdo artistë kur e gjen motivin, atëherë puna është e kryer. Nuk është në pyetje vështirësia, por se ae ke gjetur temën që të jep kënaqësi për ta punuar”, u shpreh Miftar Memeti, piktor.
Kjo punë 10 vjeçare e frymëzuar nga historia dhe kultura shqiptare, ka gjetur vendin e saj në hapësirën ekspozuese të objektit Çifte hamam, të cilat tërësisht përfshihen në idenë dhe qëllimin e autorit .Në ekspozitë shfaqen gjithsej 350 imazhe të vogla. Ato janë të ndërlidhura dhe të kombinuara në një tërësi të veçantë në imazhe komplekse të mozaikut që formojnë 4 pjesë të vetme në një format të madh.
