4 milionë euro borxh të akumuluar ndër vite ka komuna e Sarajit ndaj kompanive që kanë vepruar në këtë territor zbuloi kryetari Muhamed Elmazi. Sipas tij, borxh kanë edhe shkollat fillore rreth 198 mijë euro. Ndërmarrja për Menaxhim me Ndriçimin Publik ka borxh rreth 127 mijë euro.
“Nga të dhënat e dala prej ditës së sodit mund të themi lirisht se borxhi i komunës së Sarajit flas si komunë nga të dhënat e reja të azhuruara është 3 milionë euro. Borxhi i Ndërmarrjes Publike në kuadër të komunës së Sarajit Higjiena Komunale është 425 mijë euro. Borxhin të cilin e ka çerdhja “Filizi” në kuadër të komunës së Sarajit 230.700 euro”, deklaroi Muhamed Elmazi – kryetar i Komunës së Sarajit.
Sipas analizave të brendshme të Komunës të cilat i prezantoi Elmazi, ka pasur kontrata pune për njerëz të cilët nuk janë paraqitur në punë por kanë marrë pagë, mirëpo shtoi se të njëjtit, pasi është ndërruar udhëheqësia komunale, vetë kanë dhënë dorëheqje.
“Kemi gjetur të punësuar në kuadër të komunës së Sarajit me nga dy vende pune, kemi gjetur kontrata të cilat në sistematizimin aktual të komunës së Sarajit nuk kanë qenë e ceka edhe më lart kur e paraqita tekstin para jush, kemi gjetur kontrata të cilat as që ndonjëherë janë paraqitur në objektin komunës së Sarajit dhe shumica prej tyre që nga dita e parë vetë kanë ardhur dhe kanë dhënë dorëheqje”, tha kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi.
Elmazi u ankua se borxhet e kanë mbajtur komunën të bllokuar prej kur e ka marrë mandatin, pasi që përmbaruesit kanë qenë aktiv. Garantoi që komuna do të del nga bllokada dhe do të funksionojë në mënyrë të rregullt.
