Kjo ishte atmosfera e Vitit të Ri në Tetovë. Qytetarët edhe pse pa asnjë organizim nga ana e komunës, secili në mënyrën e vet, me tupanë, surle e fishekzjarrë festuan ndërrimin e motmoteve.
Pas festës në qendrën urgjente në Tetovë u paraqitën shtatë qytetarë, tre nga të cilët u sollën në gjendje të alkoolizuar dhe katër të lënduar me fishek zjarre.
“Nata e viti të ri kaloi mirë kryesisht me tre të alkoolizuar dhe katër lëndime nga mjetet piroteknike. Një nga të cilët ishte një lëndim më specifik, sepse i kishte plasur fishek zjarri në gojë. Kryesisht të lënduarit kanë qenë katër fëmijë”, tha Boban Vuçevski, mjek.
Fëmija i parë në Tetovë ishte vajze cila lindi pesë minuta pas ndërrimit të vitit.
“Lindja e parë e vitit 2024-të është vajzë, ka lindur në gjendje shumë të mirë 3 kg e 500 gram. Edhe vajza edhe nëna janë në gjendje të mirë. Është fëmija i parë në familjen Misimi dhe e kanë pritur një kohë më ta gjatë ardhjen e saj dhe të dyja ndihen shumë mirë”, u shpreh Merale Rexhepi, kryeshefe e Gjinekologjisë.
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami foshnjës së parë i dhuroi 40 mijë denarë.
“Kjo vajzë sot Zoha, po na jep shpresë, po na jep mundësi të re që Tetova dhe tetovarët që edhe me këtë investim që është bërë në Spitalin e Tetovës me drejtorin e ri, kanë një mundësi të re kemi një shans që me angazhimin e gjithanshëm të gjithë shoqrisë të gjitha sferave të Tetovës dhe tetovarëve, mundemi edhe këtë ta shfrytëzojmë dhe viti 2024 do të jetë një vit i zhvillimit edhe proposperitit”, deklaroi Kasami.
Ndryshe në SPB Tetovë nuk është denoncuar asnjë aksident dhe asnjë rast i prishjes dhe qetësisë publike. Nga SPB Tetovë thonë se nata e mbrëmshme në këtë sektor ka qenë e qetë edhe pa incidente.
