4 DITË AFAT PËR LIGJIN E PROKURORISË PUBLIKE, DESKOSKA PËR TV21: ÇDOKUSH MBAN PËRGJEGJËSI PARA QYTETARËVE

TË FUNDIT

Vetëm katër ditë para publikimit të Raportit të Komisionit Evropian, nuk ka paralajmërime se do të sillet Ligji për Prokurorinë Publike, me të cilin përcaktohet fati i Prokurorisë Publike Speciale. Edhe pse, ky ligj është çështje kyçe për marrjen e një raporti pozitiv, e me këtë edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, megjithatë deri më tani të dyja palët nuk kanë arritur marrëveshje. Bisedimet janë bllokuar, më së shumti për shkak të mosmarrëveshjeve për Nenin 105, të cilin pushteti e interpreton si luftë e opozitës për amnisti të fshehur. Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, thotë se përgjegjësinë për mosarritjen e marrëveshjes dhe mosmiratimin e këtij ligji, do ta mbajë VMRO-DPMNE-ja.


“Secili që nuk është i gatshëm ta mbështesë rekomandimin pozitiv dhe hapjen e perspektivave, do të mbajë përgjegjësi para qytetarëve. Presim që t’i shohim qëndrimet e tyre për tekstin e fundit të cilin ua kemi dërguar dhe të shohim a do të përgjigjen dhe a do të japin sinjal pozitiv”, theksoi Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Kryeministri Zaev javën e kaluar deklaroi se do të intensifikohen negociatat dhe se nëse shënohet përparim, është e mundur që marrëveshja për ligjin të arrihet në takimin e liderëve, gjegjësisht para publikimit të Raportit evropian. Deskoska thotë se po bëhen përpjekje, por se nga pala tjetër kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Bëjmë përpjekje, por me forcë nuk mund të arrihet. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm – nëse ky ligj është i rëndësishëm, le ta mbështesin. Do të jetë shumë pozitive nëse e miratojmë, së paku duhet të kemi tentativë derisa të merret vendimi i Këshillit. Kjo do të ceket, por vendimi i Këshillit duhet të bazohet mbi të gjitha supozimet dhe arritjet e deritanishme”, tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Toni Menkinovski i VMRO-DPMNE-së, në intervistën e tij të fundit tha se propozim-ligji është plagjiat sipërfaqësor i ligjit kroat për Prokurori, kurse siç deklaroi, ministrja Deskoska është përqendruar në nevojat e PPS-së dhe dëshirat personale të Katica Janevës.

“Ai servilizëm i LSDM-së ndaj Katica Janevës po lexohet përmes Nenit të propozuar 105 të Ligjit për PPS, me qëllim që të mos ndërpriten lëndët që Janeva i ka hapur pas 30 qershorit të vitit 2017 dhe të cilat janë joligjore. I tillë është rasti “Taliri”, me të cilin është bllokuar prona e përgjithshme e partisë më të madhe opozitare. Nuk kemi për qëllim të bëhemi bashkëpunëtorë në amnistimin e procedurave të paligjshme të cilat PPS-ja dhe Katica Janeva i kanë ndërmarrë në kundërshtim me afatet ligjore, e për fat të keq kjo është ajo për të cilën këmbëngul ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska”, potencoi Toni Menkinovski nga VMRO-DPMNE.

Për përkrahjen e ligjit po bisedohet edhe me grupin e pavarur parlamentar, përfaqësuesit e të cilit, ditëve të fundit kanë realizuar takime me ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe Holandës.

“Ne gjithmonë kemi pasur vërejtje tona, por mendoj se në këtë frymë duhet dy partitë më të madha politike të tentojnë të gjejnë zgjidhje për këtë çështje, sepse gjithmonë kur ka konsensus më të gjerë, ligjet kanë legjitimitet më të madh”, u shpreh Nola Ismajllovska Starova nga grupi i pavarur parlamentar.

Miratimin e Ligjit për PPS e pret edhe Bashkimi Evropian, i cili konsideron se pikërisht ky ligj është një nga reformat kyçe në sistemin gjyqësor dhe njëkohësisht edhe një nga obligimet kryesore për përmbushjen e kushteve që vendi ynë të marrë datë për negociata aderuese.

Përgatiti: Svetllana Unkovska