36 vjet jeton në Tearcë, shteti nuk i jep shtetësi! Deputetja Dauti: Mëkat që kjo zonjë të konsiderohet e rrezikshme

TË FUNDIT

Reqife Ceka nga Tearca e Tetovës për më shumë 36 vjet nuk mund të marr shtetësinë e Maqedonisë.

Ajo thotë se kurrë nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore, por institucionet e konsiderojnë si person të rrezikshëm për shtetin. Reqifja ka aplikuar rreth 20 herë, por tentimet e saja kanë qenë të kota edhe pse së fundmi kishim ndryshime ligjore për lehtësimin e procedurës.

 “Unë jetojë 36 vite në fshatin Tearcë. Kam bërë disa aplikime, jo njëherë por shumë herë, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Tash edhe me ligjin e ri kamë aplikuar.  E fundit ka qenë para një viti e tre muajsh dhe nuk kam marr asnjë përgjigje, arsyeja është personi i rrezikshëm për shtetin. Çfarë mund t’i bëj unë shtetit. Kjo është absurde pa shtetësi”, pohoi Reqife Ceka.

Reqifja shkollim e ka kryer në Maqedoni, pasi këtu jeton që nga viti 1987.

Për shkak mos pasjes së shtetësisë nuk mund të ketë as sigurim shëndetësor, ndërsa është e detyruar të merr leje qëndrimi çdo gjashtë muaj.

 “Nga viti 1987 ne jetojmë në Tearcë , shkollën nga klasa e parë e më lartë i kam kryer në Tearcë. Normal që kam problem kur kalon kufirin duhet të lajmërohesh çdo gjashtë muaj. Në aspektin shëndetësor nuk mund të shkosh tek mjeku, je e bllokuar në të gjithë anët , nuk ke edhe ku ankohesh pasi i plotësoj të gjithë kushtet dhe se di pse nuk ma japin shtetësinë”, theksoi Reqife Ceka.

Për këtë rast ka folur edhe deputetja e Kuvendit Ilire Dauti.  Sipas saj me ndryshimet ligjore kjo zonjë do të duhej menjëherë ta marrë shtetësinë.

 “Ju bëj thirrje publikisht të gjithë atyre administratorëve burokrat  të cilët guxojnë të jenë mbi ligjin  dhe të mos e zbatojnë ashtu ligji siç është, decid edhe preciz. Në mes tjerash ka dispozitën kalimtare që e përsëris që thotë se të gjithë qytetarët që kanë jetuar në territoret e Maqedonisë se Veriut nga 8 shtatori i vitit 1991 me vetëm  një dokument që janë në dokumentet e dokumentacionit të nevojshëm do të mund ta marrin shtetësinë pa asnjë kërkese apo ngarkesë tjetër nga ana e kompetentëve”, Ilire Dauti – deputete e ASH-së.

Arsyetimin e shtetit se zonja Reqife është person i rrezikshëm Dauti  e quan skandaloz.

 “Klasifikimi  që ka marr më herët zonjë Reqife është se është e rrezikshme për shtetin kështu që  unë sot dy orë kam ndarë me të dhe dua të them se është një zonjë e mrekullueshme. Është mëkat që të gjithë zonjat dhe zotërinjtë t’i quajnë të rrezikshëm pa fajin e tyre”, pohoi Ilire Dauti – deputete e ASH-së.

TV21 dërgoi pyetje në MPB për këtë rast dhe po pret përgjigje.

E derisa shteti nuk u jep qytetarëve të vet shtetësi, nuk e ka problem t’i pajis me të njëjtën njerëzit oligarkë e kontrovers si Oleksandar Onishçenko e Sedat Peker.