300 mijë euro për ekspertë të jashtëm! Komuna e Tetovës angazhon Agjenci private, a do të publikohen emrat?

TË FUNDIT

Edhe pse me llogari të bllokuar dhe me dy rroga minus për të punësuarit me kontratë në vepër,  Komuna e Tetovës ka ndarë 300 mijë euro për  punësime të reja nëpërmjet një Agjencie private për punësim. Në prokurimet publike rezulton Komuna më 31 mars ka zgjedhur Agjencinë private “Xhob 2011” nga Shkupi për t’i ofruar punëtorë komunës së Tetovës e cila në total për rrogat e tyre do të japë 18 milionë e 290 mijë denarë. I pyetur për këtë, kryetari Bilall Kasami me këto mjete do të paguhen ekspertë të jashtëm.

“Ata mjete janë për punësime të përkohshme që kur kam ardhur në komunë kam thënë që do të angazhohet në minimum numri i peronave që bëjnë punë për komunën e Tetovës dhe që do të jenë me kontratë në vepër, pra të gjithë ata të punësuar që komuna ka nevojë të jenë të  angazhuar me punë të caktuar, obligimet që janë në formë të sistematizimit do të jenë të angazhuar me punësim të përkohshëm nëpërmjet një agjencioni privat” tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Por pse u angazhua agjenci private, kur dihet se kompanitë private nuk kanë obligim që ta publikojnë listën e të punësuarve, e kështu nuk mund të shihet publikisht se kush është punësuar dhe sa para marrin. Kasami thotë se emrat duhet të publikohen nëse këtë gjë e mundëson ligji.

 “Kemi edhe të punësuarit me vendime të përhershme që janë në bazë të sistematizimit, nëse duam që te jemi deri në fund transparent atëherë duhet të shohim bazën ligjore që lista e të gjithë të punësuarve të komunës së Tetovës me vendime të përhershme dhe të përkohshme, të publikohet. Për mua nuk është problem që të gjithë të publikohen pasi që kjo listë apo këta të punësuar është lista që më veç kemi publikuar për shkak se nuk kemi pasur një agjenci të këtillë kanë qenë me kontratë në vepër, pra tash një pjese të konsiderueshme do t’u paguhen edhe kontributet dhe sigurim social, do kenë vend pune edhe kontribute konform ligjit”, shtoi Kasami.

Transparenca edhe publikimi i të gjitha llogarive të komunës se ku harxhohen paratë e qytetarëve, ka qenë një ndër premtimet e kryetarit të komunës. Komuna e Tetovës tani për tani ka 14 milionë euro borxh, ndërsa Kasami premtoi minimizim të të punësuarve në komunë.