Nëse shkoni në Spitalin e fëmijëve “Kozle” duhet të kaloni nëpër këtë rrugë.
“Para tre vjetësh për TV21 premtoi rikonstruktimin e kësaj rruge ish kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, më pas edhe ish-kryetari i qytetit të Shkupi Petre Shilegov si dhe ish drejtori i ndërmarrjes “Rrugë dhe rrugica” Senad Smajloviq, por siç po e shihni rruga vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, ndërkaq asnjëri nuk e mbajti fjalën”, raporton Almedina Ismajli, gazetare e TV21.
Ky është premtimi i parë i ish-kryetarit të Karposhit për TV21. Vazhdimisht u tha se sapo të përmirësohet moti do të rregullohet rruga, por kjo nuk ndodhi.
“Procedura do të fillojë në periudhën shumë të shpejtë dhe do të hiqen katrorët, që të vendoset asfalt. Nuk është ndonjë procedurë e rëndë, duhet të mbarojë shpejt”, pati thënë Stefan Bogoev, ish kryetar i Karposhit më 24.03.2019.
Në Institutin për sëmundje të mushkërive Kozle në ditë kontrollohen rreth 100 fëmijë nga e tërë Maqedonia. Prindërit që i sjellin për trajtim në këtë spital ankohen vazhdimisht.
“-Është katastrofale çfarë të them tjetër.
-A mendoni se duhet rikonstruktohet?
-Patjetër, patjetër, edhe ajo rruga me katrore nuk vlen për asgjë”.
“-Rruga nuk është aspak e mirë, sidomos që vijmë në spital.
-A mendoni se duhet të rikonstruktohet?
-Po, duhet të rikonstruktohet rruga”.
Drejtori i spitali, Besnik Zeqiri, gjithashtu shpreh shqetësimin për këtë rrugë, ngaqë ky spital në pandemi po funksionon edhe si qendër-covid ku janë të shtrirë fëmijët e infektuar. Thotë se kryetarja aktuale e Shkupit i ka thënë se punët do të nisin në qershor.
“Është e vërtetë që edhe ju na keni pyetur edhe më parë, edhe më parë keni bërë storje për këtë rrugë dhe e gjithë kjo storje vetëm tërhiqet zvarrë dhe nuk ka një përfundim. Ne me qeverisjen e mëparshme të Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Karposhit, kishim një marrëveshje me të cilën ata duhej ta kishin bërë rrugën para Vitit të Ri, por pastaj ne i kemi komunikuar ata dhe na kanë thënë, nga Komuna e Karposhit thonë se nëse deri në qershor nuk e bën Qyteti i Shkupit do të fillojnë ata ta bëjnë rrugën, por sa do të jetë e saktë dhe a do të përfundojë kjo në qershor ngelet ta shohim”, tha Besnik Zeqiri, drejtor i IShP “Kozle”.
Spitali Kozle u ndërtua në vitin 2015, ndërsa rruga që të çon atje është rreth 500 metra, por në gjendje të keqe, si për makinat edhe për këmbësorët.
