Të punësuarit e NPK “Tetova” ankohen se kanë tre muaj pa rroga dhe mbi një vit pa kontribute të paguara. Për këtë arsye sot nuk punuan, por u tubuan për të kërkuar pagesën sa më parë. Rikujtojnë premtimin e kryetarit të komunës, Bilall Kasami, se pagesat do t’i bëjë brenda janarit dhe shkurtit, por nuk ka asgjë, madje as sigurimet shëndetësore.
“Sigurim shëndetësor ne nuk kemi afër 14 muaj ashtu i vjen nga dhjetor 2023 deri në dhjetor 2024 vetëm dhjetorin 2024 e ka paguar, domethënë 11 edhe tre këndej 14 muaj i bie. 14 muaj sigurim shëndetësor nuk kemi, shkaku i atyre është ne nuk e dimë a ka a nuk ka të ardhura ndërmarrja dhe me atë punë nuk e dimë ne, punën e kërkon kryetari i komunës dhe drejtoria e NPK-së e realizojnë të gjithë punëtorët, ne 25 punëtorë këtu e mbajmë gjithë Tetovën me pastrim”, deklaroi një i punësuar në NPK “Tetova”.
“Kërkojmë atë që na takon, nuk kemi të paguara rrogat, sigurimin për 12 apo 14 muaj nuk e di saktë sa janë, nuk kërkojmë asgjë më shumë nga ajo që na takon, ashtu është situata me të punësuarit tonë të siguruar janë nga një me gratë edhe fëmijët, përballemi me sëmundje, nuk kemi sigurim shëndetësor dhe vërtetë situata është problematike”, tha një tjetër i punësuar në NPK “Tetova”.
Kryetari i sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes, Avzi Rizvani, thotë se çdo moment pritet që të realizohet pagesa e rrogave. Sipas tij ka pasur premtim, por deri më tani nuk është realizuar.
“Po është e vërtetë është jam në kuadër të atyre t’i mbroj të drejtat e punëtorëve, gjithë ajo që ishte thënë është në rregullt është ashtu, mirë por detajet nuk i kanë të precizuara, ne ishim gjashtë rroga pa realizuar edhe në 2024 në fund katër rroga i realizuam me mjete që kaluan në këshillin komunal, na premtuan se deri në fund të muajt shkurt do na paguajnë edhe kontributet për një vit mirëpo nuk janë të realizuar ende, por ne jemi në bisedime çdo ditë që të arrijmë deri tek ajo pikë”, u shpreh Avzi Rizvani – kryetar i Sindikatës të Punëtorëve të Ndërmarrjes.
Kërkuam qëndrim edhe nga komuna e Tetovës, por na thanë se për shkak të shpalljes së zisë kombëtare këtë javë nuk do të japin asnjë prononcim për asnjë çështje.
Këshilli i komunës votoi që NPK “Tetovës” t’i lëshohen 25 milionë denarë për rrogat dhe ky vendim kaloi, duke u premtuar atëkohë nga komuna se ndërmarrja nuk do të përballet më me vonesë rrogash.
