“28 nëntori” dita e flamurit shqiptar! Shqipëria shënon 108 vjetorin e pavarësisë

TË FUNDIT

Me tingujt e himnit kombëtar shqiptar në Shkup, nisi kremtimi i 28 nëntorit ditës së Flamurit shqiptar. Këtë vit për shkak të pandemisë, një numër i vogël i qytetarëve me maska u grumbulluan në sheshin Skënderbeu për të ndjekur një koncert në mënyrë virtuale.

 “Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptarë këtu në Maqedoninë e Veriut ka përgatitur një koncert tematik me rastin e “28 Nëntorit” apo Ditës së Flamurit, i cili po transmetohet përmes ekranit në Sheshin Skënderbeu”, Almedina Ismajli – gazetare.

Përndryshe tre ministrat e jashtëm shqiptarë, Bujar Osmani i Maqedonisë së Veriut, Gent Cakaj i Shqipërisë dhe Meliza Haradinaj – Stublla e Kosovës në ditën e pavarësisë së Shqipërisë kanë realizuar një takim virtual online me të cilën uruan të gjithë shqiptarët për festën e 28 Nëntorit. Në lidhje me bisedën në këtë takim Osmani ka thënë  “dje ishte sfidë pavarësia, sot është integrimi. Bashkërisht konstatuam se rruga është e gjatë, por ne nuk dorëzohemi, kemi dijen dhe shkathtësinë.

Ndërkaq, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar. Të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.