28 Nëntori, BDI-ja organizon akademi solemne/ Ahmeti: T’i kujtojmë dëshmorët që i dhanë ngjyrën e kuqe flamurit

TË FUNDIT

Duke rikujtuar Lefter Bicaj, Tahir Sinanin, Labinot Krasniqin, Jetullah Miftarin, Arsim Bajramin e të gjithë dëshmorët e tjerë që ranë në luftën e 2001-të, kreu i BDI-së Ali Ahmeti e nisi Akademinë solemne të organizuar për nder të 28 Nëntorit. Ai tha se sot nuk do të flasë për histori për të përshkruar vuajtjet e popullit shqiptarë, dhe paraqiti emrat e ushtarëve që dhanë jetën dhe i shtuan ngjyrën edhe më të kuqë flamurit kuq e zi.

“Nga do që eca sot vetëm gëzime pash dhe ky gëzim po ndërtohet mbi gjakun e këtyre njerëzve të cilët në jetën e jetëve duhet t’i kujtojmë sepse nga gjaku i tyre ne sot jemi bërë bashkë këtu duke festuar të lirë. Ja kemi lënë historisë që festat e nëntorit i festonim fshehurazi, që flamuri shqiptar fshehurazi ngritej.”- deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Në Akademinë solemne morën fjalën edhe dy ambasadorët ai i Shqipërisë Fatos Reka dhe ai i Kosovës Florijan Qehaja.
“Festimet e këtij viti janë edhe më domethënës sepse është vit jubilar si dhe faktin që vendet tona Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën ftesën nga Bashkimi Evropian më 19 korrik për fillimin e negociatave të aderimit në BE”.
“Sot festojmë 110 vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë, po ashtu është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, kurse dje ne në Kosovë e festuam edhe ditën e ushtrisë. Përveç tjerash kjo ditë është edhe ditë e daljes në skenë, pra festojmë 25 vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”- pohoi Florijan Qehaja, ambasador i Kosovës në RMV.

Fjalim mbajti edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili shtoi se tash e tutje vendet e rajonit duhet të bashkohen drejt rrugës së BE-së dhe NATO-s.
“Edhe sot jemi tubuar këtu për të kremtuar bashkë njëlloj siç jemi bashkë në përcaktimet tona strategjike dhe aspiratat tona euro atlantike. Jemi bashkë në NATO, do të jemi bashkë edhe BE sepse përcaktimi ynë i përbashkët shtetërorë dhe rajonal për integrimin evropian është udhërrëfyes i vetëm i cili na motivon”- pohoi Talat Xhaferi, Kryeparlamentar.

Në Akademinë solemne të organizuar nga BDI ishin të pranishëm ministra, deputet dhe bartës të tjerë të funksioneve zyrtare.