Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur fjalim në Kuvend me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat e NATO-s ku tha se ushtarët e kësaj të fundit ishin shpëtimtarët e Kosovës dhe treguan se bota nuk i kishte harruar shqiptarët.
Osmani tutje tha se NATO-ja ishte një dritë shprese – një shans për drejtësi, një shans për liri ndërkohë përmendi edhe familjen Jashari kur tha se Kosova nuk do ta harrojë kurrë sakrificën e tyre të cilët u bënë gurthemeli i lirisë.
“Hyrja e NATO-s në Kosovë ishte një dëshmi e fuqisë së solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit të palëkundur në të drejtën universale të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se një fjalë, është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që thithim, është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë, është e ardhmja që aspiruam. Çlirimi i Kosovës më 12 qershor 1999 nuk ishte thjesht një fitore ushtarake, por ishte triumfi i shpirtit njerëzor mbi tiraninë, triumf i të mirës ndaj të keqes dhe i drejtësisë mbi shtypjen. Do të jetojmë gjithnjë edhe me kujtimin për të gjithë dëshmorët e UÇK-së, mbi 13 mijë të vrarët gjatë luftës, në mesin e të cilëve 1133 fëmijë. Nuk do të harrojmë kurrë dhimbjen e shkaktuar nëpërmjet një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, krimit të dhunimit si dhe dhimbjen që ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë që akoma nuk kanë ku të vendosin lule sepse varret janë të zbrazëta, në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, tha mes tjerash Vjosa Osmani.
