23 persona kanë shpërdorur €6.5 milionë – PTHP: Janë dakorduar që të manipulojnë me tenderin për qymyr

TË FUNDIT

23 persona në aksionin e quajtur “Aditiv” përfunduan me padi penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurdisje të tenderëve dhe larje parash. Janë të dyshuar për shpërdorimin e 6.5 milionë eurove, përmes furnizimeve të EMV-së për qymyr për nevojat e TEC Manastir. Një pjesë e madhe e tyre janë ish udhëheqës të EMV-së.

Aksioni është zbatuar në Shkup, Manastir, Negotinë, Kërçovë dhe Veles, me urdhër të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar. Veprimet e dyshimta i kanë kryer që nga fillimi i 2023 deri në mes të këtij viti. Pastaj, sipas hetimit, pjesë e mjeteve të përfituara në mënyrë joligjore nga tenderët, i kanë marrë në kesh.

Prokuroria shton se aksioni ende vazhdon dhe po mblidhen provat. Institucionet nuk konfirmojnë, por jozyrtarisht në mesin e të dyshuarve janë ish-drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski, ish-drejtori komercial Ardian Muça, paraardhësi i Kovaçevskit në pozitën e drejtorit – Vasko Stefanov, e të tjerë. Detajet u ndanë fillimisht publikisht nga kryeministri Hristijan Mickoski. Edhe para se institucionet të shpallin aksionin, ai tregoi se është informuar nga ministri Pançe Toshkovski se i dyshuari Vako Kovaçevski ndodhet jashtë vendit.

Nga Prokuroria njoftuan se në mënyrë shtesë do të informojnë se çfarë masa do të kërkojnë për të dyshuarit.