Këto janë lotë gëzimi. Përqafime dhe duartrokitje për mrekullinë e re në Turqi. 42-vjeçarja Milike Imamoglu 222 orë ka luftuar për jetën e saj. Në ditën e 10-të të tërmetit shkatërrues, që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë, ajo u nxor e gjallë nën rrënojat në zonën Kahramanmarash.
Pak orë më parë, edhe një grua 77-vjeçare, e cila nën gërmadhat kaloi 212 orë, shpëtoi në Adijaman.
Ekipet e shpëtimit dhe të afërmit e gruas u përqafuan dhe e uruan njëri-tjetrin.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan njoftoi se mbi 35.000 njerëz kanë vdekur në Turqi si pasojë e tërmetit të javës së kaluar, me çka kjo është fatkeqësia më vdekjeprurëse që nga themelimi i vendit para 100 vjetëve. Numri i përgjithshëm i viktimave në Turqi dhe Siri kaloi mbi 41 mijë. Fatkeqësisht, është pothuajse e sigurt se me kalimin e kohës numri i të vdekurve do të rritet edhe më shumë.
Si në Turqi, po ashtu edhe në Siri, shumë të mbijetuar mbetën pa kulm mbi kokë, duke u munduar të gjejnë strehë për t’iu rezistuar temperaturave të ulëta.
“Kemi nevojë tejet të madhe për tenda. Mund ta durojmë të ftohtin, nuk ka problem, mund të flemë kudo pa problem, përveç këtyre grave, fëmijëve dhe të plagosurve që i kemi nxjerrë nga rrënojat. Sapo i lashë fëmijët e mi në spital, të gjithë kanë marrë lëndime”, tha Ibrahim, person i mbijetuar në Siri.
Shumë njerëz në Turqi fajësuan se shkatërrimi masiv është si pasojë e mënyrës së gabuar ndërtimi, kurse autoritetet kompetente vazhdojnë të kërkojnë përgjigje nga arkitektët dhe kompanitë që ndërtuan ndërtesat e shembura. Turqia vendosi rregulla për ndërtim që i plotësojnë standardet e inxhinierisë së tërmeteve, por ekspertët thonë se ato rrallëherë zbatohen në praktikë.
Megjithatë, këto pamje flasin mjaft për ndikimin shkatërrues të këtyre lëkundjeve. Hataj është një nga provincat e prekura nga tërmeti. Në fshatin Tepehan në zonën Altinozu, në një tokë të mbjellë me ullinj, është formuar kanion i madh si pasojë e tërmetit.
