Në periudhën nga 7 gushti 2025 deri më 20 gusht 2026, nga gjithsej 1.883 kërkesa të dorëzuara dhe të shqyrtuara për realizimin e së drejtës për fekondim të asistuar biomjekësor (In vitro fertilization – IVF), 237 kanë të bëjnë me përpjekjen e katërt, të pestë ose të gjashtë, informojnë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH), përcjell TV21. Zgjerimi i së drejtës deri në gjashtë përpjekje për FAB (IVF), e cila më parë nuk ekzistonte në barrë të Fondit, siç theksojnë ata, nuk ka mbetur vetëm një mundësi ligjore, por një e drejtë që të siguruarit e shfrytëzojnë realisht. Rreth 12,6 për qind e të gjitha kërkesave të shqyrtuara gjatë vitit të parë pas ndryshimeve ligjore kanë të bëjnë pikërisht me përpjekjet shtesë.
“Nga 237 kërkesa të dorëzuara, 216 kërkesa janë për përpjekjen e katërt, 17 kërkesa për përpjekjen e pestë dhe 4 kërkesa për përpjekjen e gjashtë. Pas secilës prej këtyre shifrave qëndron një familje që ka fituar edhe një mundësi për të vazhduar aty ku më parë mbështetja sistemike përfundonte”, thuhet në njoftimin e Fondit.
Zgjerimi i së drejtës për IVF, sqarojnë nga Fondi, ishte një nga përcaktimet në Programin e Qeverisë, ndërsa Fondi për Sigurim Shëndetësor ndërmori hapa për zbatimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Paralelisht me përgatitjen e ndryshimeve ligjore, u përshtatën edhe aktet e brendshme, procedurat dhe zgjidhjet sistemore, me qëllim që e drejta e re të mund të zbatohej menjëherë dhe pa pengesa.
Ndryshimet e Ligjit për Sigurim Shëndetësor u publikuan në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 144, më 17 korrik 2025, ndërsa më 7 gusht 2025 Komisioni për IVF mbajti mbledhjen e parë në të cilën mund të shqyrtoheshin kërkesat për përpjekjen e katërt, të pestë dhe të gjashtë.
“Por reforma nuk përbëhej vetëm nga rritja e numrit të përpjekjeve. Procedura u thjeshtua më tej me futjen e dërgimit elektronik të njoftimit për të drejtën e miratuar për FAB, afati për paraqitjen e ankesës u zgjat nga 8 në 15 ditë, ndërsa personi i siguruar i realizon shërbimet shëndetësore për FAB në bazë të njoftimit nga Fondi, pa pasur nevojë për udhëzim shtesë nga mjeku i zgjedhur – gjinekologu i kujdesit shëndetësor parësor”, informojnë nga FSSH.
Për procedurat e IVF-së të realizuara në tetë institucione shëndetësore me të cilat Fondi ka lidhur kontrata, në vitin 2025 janë realizuar mbi 97,3 milionë denarë.
“Sistemi shëndetësor vetë nuk mund t’i ndryshojë trendet demografike, por mund të bëjë diçka shumë konkrete – të sigurojë më shumë mundësi dhe që pengesa financiare të mos jetë arsyeja për të cilën një familje do të detyrohet të heqë dorë para kohe nga përpjekja për të pasur pasardhës. Pikërisht këtu qëndron thelbi i rritjes nga tre në gjashtë përpjekje për FAB. Nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimin e një neni të ligjit apo për një vauçer shtesë. Bëhet fjalë për edhe një mundësi. Dhe ndonjëherë, pikërisht edhe një mundësi është ajo që nevojitet që shpresa të bëhet jetë”, thuhet në njoftimin e Fondit.
