Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, sot dënoi “lavdërimin publik të Ratko Mlladiqit” dhe u bëri thirrje autoriteteve kompetente që të kundërshtojnë një gjë të tillë.
Në një njoftim të publikuar në faqen e tij zyrtare, O’Flaherty tha se “dënon ashpër glorifikimin publik të Ratko Mlladiqit, kriminelit të luftës të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit”, duke përfshirë deklaratat e zyrtarëve nga Republika Sërpska, entitet në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe nga Serbia.
“Një glorifikim i tillë përbën vepër penale sipas ligjeve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nuk bën pjesë në lirinë e shprehjes të mbrojtur nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.
O’Flaherty u bëri thirrje “të gjitha autoriteteve kompetente që t’i kundërshtojnë përpjekjet për glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për të siguruar përgjegjësinë, mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe vendosjen e drejtësisë”.
