Viti i kaluar ishte i vështirë për hotelierët në Strugë dhe Ohër pasi ky vend turistik nuk e pati fluksin e viteve të kaluara, e krejt kjo shkaku i pandemisë.
Ka pasur hotele që kanë pësuar humbje të madhe dhe mezi kanë arritur për të mbuluar harxhimet e nevojshme.
Me pak punë që bënë, ata u munduan të mbanin punëtorët në vendet e tyre të punës.
“Për një muaj e diçka që punuam, normalisht nuk mundeshim t’i mbyllim të gjitha harxhimet që i kishim brenda pandemisë. Kishte vështirësi dhe vazhdon të ketë vështirësi në lidhje me të ardhurat e hotelit në përgjithësi”, tha Visar Lumani – hotelier.
Ana Jançeva, vitin e kaluar e quan vit tragjik si për njerëzit ashtu edhe për bizneset në vendin tonë.
“Viti i kaluar ishte tragjik, dmth tragjik jo vetëm ne aspektin normale të krizave familjare për shkak të situatës, por edhe për bizneset tragjik. Në bazë të gjitha paraqitjeve që i pritëm nga 2019 kur kishim vitin më të suksesshëm që nga themelimi, për 2020 kishim paraqitje të shkëlqyeshme dhe për fat te keq asgjë nga ajo nuk u realizua. Këtë vit vazhdojnë paraqitjet nga partnerët e jashtëm por ende nuk kemi realizime. Shpresojmë që deri në fund të qershorit, fillim të korrikut të paktën një pjesë e paraqitjeve të realizohen”, u shpreh Ana Jançeva – hoteliere.
Derisa po afrohet hapja e sezonit turistik veror, Visar Lumani thotë se këtë vit presin diçka më të mirë dhe janë optimist se gjërat do të ndryshojnë.
“Këtë vit presim diçka më mirë, jemi optimist për të rifilluar gjendjen normale, nuk presim si vitet e kaluara turist nga jashtë, mirëpo presim diçka pozitive”, shtoi Visar Lumani.
Ata thotë se kanë aplikuar për pranimin e klientëve me vauçerë, por se 1200 vauçera siç janë lajmëruar këtë vit, janë pak për rimëkëmbjen e ekonomisë së hotelierëve në vendin tonë.
