20 vjetori i krismave të para në Kalanë e Tetovës është shënuar me homazhe në Kalanë e Lirisë në fshatin Sellcë të Tetovës. Të pranishëm ishte edhe kreu i SHVL UÇK-së Fazli Veliu dhe Hazbi Lika ish-komandat i brigadës 113 Mujdin Aliu. Veliu pas 20 viteve ka kërkuar që të zbardhen disa nga vrasjet që kanë ndodhur në kohën e armëpushimit që sipas tij janë të dyshimta. Mes tjerëve Veliu ka pkërkuar përgjegjësi edhe për vrasjen e Harun Aliut.
“Kemi filluar të hetojmë ngjarjet që kanë ndodhur në atë kohë, për Muzaferin, të parin dëshmor që ka rënë i cili është vrarë pa uniformë. Rasti i dytë është i Omerit, i cili është vrarë në kohë paqe ndërmjet dy ushtrive tona. Për armëpushimin kanë qenë të informuar të gjithë deri në arritjen e një marrëveshjeje, prandaj djali ka dalur me prindin e tij me bagëtinë dhe e kanë vrarë për hakmarrje kundër Sellcës, kundër UÇK-së, kundër popullit tonë. Hetimet vazhdojnë. Po ashtu do të shkojmë edhe tek familja e Qemal Shaqirit, i cili ka rënë për këtë çështje, ka edhe dëshmorë tjerë të rënë në këtë kohë siç është Shpend Mazrekaj nga Kosova, i cili ka tentuar të vijë në ndihmë këndej, me një armë dhe përmes qeverisë së tanishme në krye me Albin Kurtin do të kërkojmë të hetohet vrasja e tij”, tha Fazli Veliu – kryetar i SHVL-UÇK-së.
Për Hazbi Likën kjo luftë ka një rëndësi të veçantë për shqiptarët e Maqedonisë pasi që përmes kësaj tash shqiptarëve pas 20 viteve askush nuk mund të ua mohojë flamurin dhe gjuhën e tyre.
“Ju e dini se luftën nuk e filluan për të shitur kapadaillëk dikujt, nuk e filluam luftën për të shfryrë një mllef ndaj dikujt, por luftën e nisëm duke hasur në pengesa të vazhdueshme nga pala tjetër për sa i përket kërkesave që u bënë dekadave të fundit në favor të shqiptarëve, nuk hasën në mirëkuptim dhe ne u detyruam të marrin pushkët për të drejtat tona. Ajo luftë do të mbahet mend për shqiptarët e Maqedonisë, sepse bëmë një luftë e cila u shënua me fitoren e shqiptarëve dhe UÇK-së dhe u arrit një marrëveshje e cila u përfshi në sistemin e shtetit, ku sot i gëzojmë një pjesë të drejtave të cilat bazën e kanë tek lufta e UÇK-së”, u shpreh Hazbi Lika – ish-komandant i UÇK-së.
Në këto homazhe të bëra për ndër të dëshmorëve ka munguar përfaqësuesi politik i UÇK-së Ali Ahmeti dhe përfaqësues të tjerë politik që sot janë në funksione të larta shtetërore. Tradicionalisht me 14 mars në kompleksin e dëshmorëve në fshatin Sellcë është mbajtur edhe një program i pasur artistik por për shkak të pandemisë dy vite me radhë ky manifestim është anuluar.
