Heqja e termit “20%” nga kushtetuta që i referohet shqiptarëve, nga kërkesë mund të shndërrohet në kusht. Kështu deklaroi në Click Plus kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami. Sipas tij, nëse si opozitë i përkrahin ndryshimet kushtetuese për futjen bullgarëve në Kushtetutë, atëherë në mënyrë reciproke duhet të ketë përkrahje edhe për heqjen e 20%-shit.
“Por njëherësh ne vlerësojmë se argumentet tona për heqjen e 20% janë po aq të fuqishme sa argumentet për futjen e komunitetit bullgar. Pra nëse ka një mirëkuptim të tillë nga ne si opozitë që të përkrahim ndryshimet kushtetuese me futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, ne presim në anën tjetër një përkrahje të tillë edhe nga partitë shqiptare edhe nga partitë maqedonase që përfundimisht definicioni 20% që është nënçmues për ne shqiptarët, të largohet nga kushtetuta dhe të zëvendësohet me gjuha shqipe”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Kjo kërkesë në fakt nuk është vetëm e Lëvizjes Besa. Për këtë së fundmi janë deklaruar të gjitha partitë shqiptare dhe të gjitha janë për heqjen e 20% edhe pse partia në pushtet BDI shprehet se për momentin përparësi ka futja e bullgarëve sepse nëse dalin kërkesa tjera, opozita maqedonase do të krijonte alibi për të mos dhënë mbështetje.
“Sigurisht se do të vijë momenti do të duhet edhe 20%, për shkak se ja është pjekur koha që të shënohet në formulim të saktë të gjuhës shqipe. A është tani momenti i duhur do të duhet ta vlerësojnë bashkërisht liderët e partive politike apo do krijojmë një alibi plus për opozitën pse nuk i mbështetë ndryshimet kushtetuese. Ne, vetëm pjesa e koalicionit qeverisës nuk I ka numrat për ndryshimet kushtetuese pa mbështetjen e deputetëve të opozitës”, pohoi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Taravari nga ASH gjithashtu shpreson që ky ndryshim të ndodhë tani dhe atë me mbështetje të të gjitha partive në vend.
“Aleanca për Shqiptarët është e lumtur që tashmë erdhi momenti kur partitë politike në Maqedoni do të mund të shprehin pajtimin e tyre që gjuha shqipe të emërtohet si e tillë dhe mos të quhet më gabimisht 20%. Propozojmë që ky ndryshim të ndodhë tani dhe jemi të bindur, jo vetëm në pajtimin e partive shqiptare, por edhe me dakordësinë e të gjitha partive në Maqedoni”, shkroi mes tjerash Taravari”, tha Arben Taravari – kryetar i ASH-së.
Për heqjen e 20% dhe vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare u angazhuan së fundmi edhe nga Grupi i Zjarrit. Ndryshe së fundmi edhe torbeshët kanë dërguar kërkesë zyrtare deri në qeveri që edhe ata të jenë pjesë përbërëse e preambulës. Ata konsiderojnë se torbeshët janë të tretët sipas numrit të popullsisë në Maqedoni mirëpo për shkak shumë arsyeve ky numër është ulur në regjistrimin e fundit.
