19 të punësuar me kontratë në vepër pranë Qendrës për Shëndet Publik janë pushuar nga puna. Këtë e bënë të ditur një grup i të punësuarve pran kësaj Qendre, duke shtuar se kjo ndodh pa arsyetim.
“Sot, 19 të punësuar me kontratë në vepër në Qendrën e Shëndetit Publik – Shkup, jemi njoftuar se është bërë çregjistrimi ynë nga vendi i punës pa kurrfarë arsyetimi të mëtejmë. Sipas informatave të marra nga strukturat udhëheqëse, që të mund të ruajnë vendin e punës në këtë institucion, duhet të vazhdojmë të punojmë pa pagesë. Në grupin e të punësuarve në fjalë ka 19 persona të cilët punojnë në këtë institucion përmbi 4, 6 dhe 10 vjet.”- thanë të punësuaruarit pranë QSHP
Drejtori i këtij institucioni Besim Zeqiri për TV21 e konfirmoi këtë informacion. Ai thotë se të punësuarve në fjalë u ka skaduar kontrata dhe nuk mund t’u vazhdohet për shkak se tashmë janë shpallur zgjedhjet.
“Të punësuarit janë të informuar se kjo ka ndodhur për shkak të skadimit të kontratave dhe të njëjtat nuk mund të vazhdohen pasi që janë shpallur zgjedhjet. Te shumica e punëtoreve kemi hasur në mirëkuptim.”- tha Besim Zeqiri – drejtor i QSHP.
Nga grupi i nëpunësve gjithashtu njoftojnë se Qendra e Shëndetit Publik Shkup ka nevojë për shërbimet e tyre dhe se jo rastësisht të njëjtit punojnë në këtë institucion mbi 10 vite. Ata kërkojmë që të rregullohet statusi i tyre.
