“135 fëmijë të vrarë nga nisja e pushtimit rus”/ Zelensky, Evropës: Vepruat shumë vonë për ta ndalur Rusinë

TË FUNDIT

Pushtimi rus i Ukrainës tashmë ka hyrë në muajin e dytë. Mijëra viktima, e qindra-mijëra refugjatë! 

Prefekti i Kievit, Vitalij Kliçko, ka pohuar se vetëm në kryeqytet gjithsej 75 njerëz e kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit rus. Mes viktimave, katër janë fëmijë, u shpreh ai.

Prokuroria ukrainase njoftoi se 135 fëmijë janë vrarë, ndërsa 184 janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski në fjalimin para shefave të shteteve në Këshillin e BE-së në Bruksel, foli për shkatërrimin e vendit nga ana e Rusisë dhe dëmet e shkaktuara, e cila sipas tij, ka shkatërruar 230 shkolla dhe 155 kopshte fëmijësh.

 “Ushtria ruse nuk sheh çka është dinjitet. Nuk dinë çka është ndërgjegje. Nuk kuptojnë pse e çmojmë aq shumë lirinë tonë. Kjo është ajo që cakton si do të jetojë vendi. Qytete dhe fshatra të tëra, deri në hi. Asgjë nuk ka mbetur. Ushtria ruse  ka vrarë gazetarë, edhe pse në të ishte shkruar ‘press’. Ndoshta nuk janë mësuar të lexojnë. Vetëm të vrasin”, tha Vollodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Zelenski kritikoi krerë evropianë për reagimin e vonuar në pengimin e Rusisë. Falënderoi shtetet-anëtare të Unionit për mbështetjen, por jo edhe Hungarinë, duke i bërë thirrje presidentit Viktor Orban ta përcaktohet si do të jetë marrëdhënia e tij ndaj Rusisë. Këshilli Evropian i bëri thirrje Rusisë që menjëherë të ndalojë krimet e saj të luftës në Ukrainë.

Sa i përket zhvillimeve të fundit nga lufta, Zyrtarët ukrainas kanë thënë të premten se rreth 300 njerëz mund të kenë vdekur si pasojë e bombardimeve në teatrin e qytetit të Mariupolit. Komiteti ndërkombëtar për shpëtim sot paralajmëroi se civilët në Ukrainë përballen me “krizë katastrofike shëndetësore”, derisa sulmet e infrastrukturës shëndetësore e kufizojnë qasjen në “shërbime dhe materiale për shpëtimin e jetëve”. U kumtua edhe se janë evidentuar 64 sulme ndaj institucioneve shëndetësore, transport dhe personel, gjatë katër javëve të invazionit. Në atë periudhë, Komiteti ndërkombëtare për shpëtim pohon se kanë lindur mbi 4.300 foshnja në Ukrainë, 80.000 priten të lindin në tre muajt e ardhshëm.

Autoritetet në Mariupol sot njoftuan se rreth 300 civilë të cilët fshiheshin në bodrum kanë humbur jetën në bombardimin e teatrit në këtë qytet ukrainas. Zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshçuk, paralajmëro korridore të reja për evakuim.

 “Është planifikuar edhe evakuim i centralizuar me autobus nga Berdjansk, qytet i okupuar nga Rusia, Në hyrje të qytetit janë parkuar 48 autobusë”, tha Irina Vereshçuk, zëvendëskryeministre ukrainase.

Ndërkaq, autoritetet ruse sot njoftuan se me raketa e kanë shkatërruar depon më të madhe për derivate të ushtrisë ukrainase, në afërsi të Kievit.

“Është shkatërruar rezervuari më i madh i mbetur për derivate të armatës ukrainase, e cila është shfrytëzuar për furnizimin e njësive në pjesën qendrore të këtij vendi”, tha Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Avokatja e Popullit të Ukrainës, Lyudmyla Denisova, ka akuzuar Moskën për largim të dhunshëm të mijëra civilëve nga qytetet e shkatërruara ukrainase për në Rusi, për të rritur presionin ndaj Kievit që të dorëzohet. Denisova ka thënë më 25 mars se 402,000 njerëz, duke përfshirë 84,000 fëmijë, janë dërguar kundër dëshirës së tyre në Rusi, ku disa mund të shfrytëzohen si “pengje”.

Më shumë se 2.2 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina drejt Polonisë, prej shpërthimit të luftës, ka thënë Garda Kufitare Polake. Numri i refugjatëve ka shënuar rënie ditëve të fundit, por të enjten është raportuar për rritje, pasi 32,500 njerëz kanë hyrë në Poloni, apo 7.4 për qind më shumë sesa të mërkurën, kanë thënë autoritetet polake.