12 viktima, 1.197 raste të reja, 9 qytetarë me Omicron! Tateshi me dyshime për ministrin e ardhshëm Bekim Sali

TË FUNDIT

Te 9 pacientë është detektuar varianti Omicron i Kovid-19. Tetë prej tyre janë nga Shkupi dhe një nga Koçani, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, me çka në vendin tonë tashmë gjithsej kemi 10 të persona të diagnostikuar me variantin Omikron. 

“Në laborator janë përpunuar 24 mostra pozitive për SARSCoV2, mostrat janë nga pacientë nga Shkupi, Koçani, Velesi, Gjevgjelia dhe Bogdanci. Nga numri total i testuar, në 9 pacientë është zbuluar varianti i virusit Omicron, që përbën 37,5% të mostrave pozitive”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjithashtu sot kemi numër shumë më të madh të të infektuarve në krahasim me ditët e kaluara kur maksimalisht kishim 500.

Në 24 orët e fundit 1.197 qytetarë kanë rezultuar pozitivë, ndërsa  12 pacientë kanë ndërruar jetë si pasojë e Covid-19.

Janë bërë 7.483 testime për corona virus, ndërsa 1.197 raste kanë rezultuar pozitiv.

Shkup – 766, Manastir – 94, Prilep – 56, Kavadar – 38, Veles – 31, Ohër – 24, Gjevgjeli – 23, Kumanovë – 18, Resnjë – 16, Tetovë – 15, Shtip dhe Strumicë – 12, Koçani – 11, Kërçovë, Negotinë, Kriva Pallankë dhe Radovish – 10, Dellçevë dhe Vallandovë – 7, Strugë dhe Bogdanci – 5, Gostivar dhe Sveti Nikollë – 4, Makedonski Brod – 3, Berovë, Probishtip, Demir Hisar, Krushevë, Demir Kapi dhe Dojran – nga 1.

Nga partia opozitare shqiptare Aleanca për shqiptarët reaguan në lidhje me pandeminë, duke e akuzuar ministrin në largim Venko Filipçe për keqmenaxhim të situatës me virusin korona. Mjeku Bekim Tateshi u shpreh skeptik edhe për ministrin e ardhshëm Bekim Sali.

 “Unë mendoj se kapacitetet e z. Bekim Sali ju do t’i shihni, por dyshoj në atë se është një periudhë shumë e rëndë dhe kjo problematikë kërkon një ekip të gjërë, të profesionistëve, të cilët do t’i bëjnë ballë kësaj sfide. Pritet siç thamë të jetë një periudhë Covid-off, kur mendohet të fitohet pandemia, por asgjë nuk është e sigurtë. Mund të paraqiten edhe forma tjera të virusit SarsCov2”, u shpreh Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët.

Tateshi tha se situata epidemiologjike me virusin korona më së miri do të vërehet pasi të kalojnë edhe disa ditë nga festat e fundvitit, për shkak të grumbullimeve të qytetarëve. Prezenca e mutacionit Omicron dëshmon se virusi ka veti patologjike të zbutura, shtoi mjeku Tateshi.

Përndryshe nga Ministria e Shëndetësisë poashtu njoftuan se në sistemin “Termini im” janë paraqitur edhe 3 pacientë të vdekur, të cilët kanë ndërruar jetë në periudhën prej 23 dhjetor deri 2 janar.