116 vjet nga lindja e Nënë Terezës! Shkupi nderon veprën e Gonxhe Bojaxhiut

TË FUNDIT

Sot kujtohet ditëlindja e Nënë Terezës, një prej figurave më të njohura shqiptare në botë dhe simbol i humanizmit, përkushtimit dhe dashurisë ndaj njerëzve në nevojë.

Në Shkup, vendlindjen e shenjtores, u zhvilluan një sërë aktivitetesh për të përkujtuar jetën dhe veprën e saj. në mëngjes u bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore dhe u vendosën lule nga përfaqësuesit institucionalë.

“Sot jemi këtu pranë ish shtëpisë së vjetër të Nënë Terezës, në qendër të Shkupit, aty ku familja Bojaxhiu kishte një vajzë, e cila e dha mesazhin e humanizmit në të gjithë botën, e njohur si Nënë Tereza. Për ne është krenari si shkupjane, si shqiptare dhe ne e kemi për obligim ta përkujtojmë veprën dhe misionin e saj të cilin ia shpërndau gjithë botës”, tha Bekim Sali, zv/kryeministër.

Aktiviteti qendror për ditëlindjen e Nënë Terezës u mbajt në Muzeun e Artit Bashkëkohor, nën patronazhin e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, ndërsa i ftuar nderi ishte kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti.

“Sot 116 vite pas lindjes së saj në këtë qytet, emri i Anjezë Gonxhe Bojaxhiut vazhdon të na kujtoj se një vend mund të jetë zanafilla e një historie botërore, se një identitet mund të jetë rrënjë e jo kufi dhe se shërbimi i njeriut mund të jetë një nga format më të larta të paqes”, theksoi Albin Kurti, kryeministër në detyri i Kosovës.

Në kuadër të këtij aktiviteti u promovua libri “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”, me autorë Albert Ramaj dhe Skender Asani, si dhe u hap një ekspozitë dokumentare kushtuar jetës dhe veprës së saj.

“Në familje ajo mori rrënjët, në besim mori forcën, në Shkup mësoi bashkëjetesën dhe pikërisht kjo përvojë e ndihmoi që kur misioni e vendosi përballë njerëzve, feve, kombeve dhe kulturave të ndryshme – ajo të mos pyeste se çfarë ishin, ajo shihte se kush kishte nevojë për të” tha Skender Asani – ITSHKSH.

“Vetëm dashuria mund ta shpëtoj botën thoshte ajo, e unë do ta shtoja do ta shpëtojë edhe botën shqiptare dhe mbarë njerëzimin. Dashuria është fuqia më e madhja dhe e vetmja që lëviz shpirtin, mendjen dhe ndërgjegjen dhe zemrën e njeriut”, tha Don Lush Gjergji – prift .

Nënë Tereza, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ia kushtoi jetën shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve të braktisur. Në vitin 1950 themeloi Misionaret e Bamirësisë në Kalkutë, duke krijuar një rrjet institucionesh humanitare që u shtri në shumë vende të botës. Në vitin 1979 ajo mori Çmimin Nobel për Paqe. Më 4 shtator 2016 u shpall shenjtore nga Papa Françesku, gjatë ceremonisë së kanonizimit në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.