113 vjet nga Kongresi i Manastirit! Shqiptarët festojnë ditën e unifikimit të alfabetit shqip

TË FUNDIT

Sot 113 vjet më parë në Kongresin e Manastirit u bë unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe.

Kjo ngjarje kujtohet çdo vit në Manastir dhe mbledh figura të shumta historike e politike.

Rrugëve të Manastirit dhe në Shtëpinë e Alfabetit kishte shqiptarë nga të gjitha qytet e Maqedonisë.

Drejtori i shtëpisë së Alfabetit Zait Aliu tha se kanë pasur aktivitete të ndryshme që nga data 13 nëntor, e gjithë kjo për shkak të interesimit të lartë tw vizitorwve.

 “Kemi filluar më datë 13, kështu që patëm shoqata të ndryshme poetike ku kishim mundësi në hapësirat e muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe të mbahen këto orë poetike. Kishim edhe promovime librash, ekspozita të ndryshme, ndërsa sot është ekspozita e fundit e Dorian Kocit, gjithashtu në ora 19 e përmbyllim me Ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve të gjuhës shqipe”, tha Zait Aliu, drejtor i Shtëpisë së Alfabetiti në Manastir.

Mustafa Ibraimi, profesori i gjuhës shqipe, thotë se personat që u mblodhën për të unifikuar alfabetin e gjuhës shqipe ishin largpamës dhe rezultat i asaj largpamësie na solli në suksesin e sotëm si komb.

“Këta patriotë shqiptarë që vinin nga të gjitha viset shqiptare flasim për atë kohë, nga Stambolli, nga viset e ndryshme, ishin shumë largpamës. Kur them largpamësi ata menduan shumë gjatë për idenë e tyre, një komb, një gjuhë, një shkrim dhe mendoj se aftësia ose lartësia e tyre intelektuale bëri që ne sot vërtet të kemi suksese si komb”, tha Mustafa Ibraimi, profesor.

Vizitorët thonë se kjo shtëpi e Alfabetit ka rëndësi  për të gjithë shqiptarët ku do që janë, jo vetëm për shqiptarët e Manastirit.

 “Kjo ndërtesë këtu ku është mbajtur Kongresi i Manastirit nuk ka rendësi vetëm për mua si person se jam shqiptarë, por ka rëndësi të madhe për gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe gjithë atyre që janë në diasporë”

Edhe pse jetojnë në qytetin ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe, shqiptarët e Manastirit thonë se jeta në këtë qytet është e vështirë për ta, pasi siç thonë politika vendore i ka lënë pas dore.

 “Të jesh shqiptarë në Manastir duhet pak të jesh i kujdesshëm. Neve edhe ashtu s’na përfillin shumë as ata shqiptarë tonë që janë në parti edhe ne i ngasim punët ashtu siç jemi të aftë neve vetë”

Ndryshe Kongresi i Manastirit ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar ishin Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani, etj.