Si projekte të rëndësishme në 100 ditët e tij të para në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, ministri Azir Aliu thekson krijimin e agjencisë digjitale, strategjinë për transformim digjital të ekonomisë, reformat në administratë dhe reformat për mediat veçanërisht për portalet dhe mediat elektronike. Përmendi edhe përgatitjen e ligjit për pagat, sjellja e të cilit, sipas Aliut, është i vështirë pasi që ka pakënaqësi nga institucione të ndryshme dhe si sistem është i vështirë për t’u krijuar.
“Ligji i pagave është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm dhe është prioritet i jonë si ministri por edhe si shtet. Momentalisht ne nuk kemi model për paga dhe si rezultat, përshembull keni një të punësuar në administratë publike në përshkrimin e punës së njejtë si një tjetër që është në një institucion tjetër dhe që kanë rroga të ndryshme bile ndonjëherë kjo rrogë devijon deri 30-40%, duke mos pasur ndonjë formulë, ndonjë strukturë, indikatorë të qartë se si krijohen rrogat. Kjo është shumë e lidhur edhe me ministritë e tjera kështu që jemi intenzivisht duke punuar dhe duke pasur takime. Besoj se shumë shpejt draft variantin e fundit e kemi gati. Ka mospajtime ndërmjet institucioneve të ndryshme”, tha Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Sa i përket akuzave për nepotizëm nga Alternativa se Aliu e ka punësuar dhëndrin në kabinet, ministri tha se kjo nuk është e vërtetë, respektivisht se është dhëndër i familjes por jo dhëndër i tij.
“Ai nuk është as dhëndër i vajzës as dhëndër i motrës kështu që në mënyrë juridike mund ta kontrolloni dhe të ngritni procedurë. Gjithçka është në rregull, nuk ka asnjëlloj nepotizmi, ai është dhëndër i familjes Aliu por jo dhëndri im”, pohoi Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Aliu theksoi edhe programin “DigitalEra” e cila sipas tij, në mënyrë drastike ka ndryshuar mënyrën e qasjes drejt shërbimeve publike si dhe ka ulur kohën e pritjes për këto shërbime.