Kështu filloi protesta e Konfederatës së Sindikatave dhe Organizatave të Pavarura të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata nuk lejuan që bashkë ta të protestojë edhe Organizata “Bojkotiram” pasi siç thanë ata kanë prapavijë politike.
Protestuesit u nisën nga Televizioni shtetërorë dhe marshuan deri tek godina e Qeverisë.
Sot për 1 maj, në ditën e punëtorit, protestuesit kërkuan më shumë të drejta, siguri më të madhe dhe rritje të rrogave për të punësuarit.
“Kaluam dy vite ligji ende nuk është ndryshuar. Nëse ka vullnet, ai ligj mund të ndryshohet Brenda një muaji. Dy vite atë ligj dikush e mban me vetëdije të plotë. Punohet për ligj të ri por ne nuk jemi të kyçur dhe si prisni që të kemi bashkëpunim. Sillen sit ë jenë sindikata shtetërore, ne e mohojmë sjelljen e tyre dhe kërkojmë rinumërim konkret të punëtorëve në vend”, theksoi Marjan Risteski, kryetar i KSOP.
Edhe anëtarë tjerë të sindikatës kërkuan kushte më të mira në punë, pasi siç u shprehën populli dalëngadalë po ik nga Maqedonia për shkak të rrogave të ulëta.
“Sipas Entit Shtetëror për Statistikë, rroga mesatare është 400 euro. Mendoj që kjo është e pa sens. Në një program të thjeshtë exel nëse llogaritni rroga të të punësuarve në Maqedoni ku afërsisht janë 800.000 të punësuar, jam e sigurt që rroga mesatare nuk shkon më lartë se 220 euro. Një familje katër anëtarëshe në të cilën të punësuar janë dy, të marrin maksimalisht 400 euro gjithë së bashku me dy rroga minimale nuk mund të mbijetojnë. D.m.th njerëzit në Maqedoni mezi mbijetojnë”, potencoi Ana Gligorova, pjesëmarrëse në marsh.
“Para ca kohësh, Ministrja e punës dhe Politikës sociale dha një numër të këtillë. Numër nga i cili e pyes veten, vallë jemi punonjës apo të robëruar. Ajo tregoj një numër të humbur 1.123 punëtorë gjatë vitit lëndohen në vendin e tyre të punës, kurse 23 punëtorë vdesin nga lëndimet në vendin e tyre të punës. Cili është shqetësimi dhe çfarë njerëz udhëheqin me ata kompani”, tha një tjetër pjesëmarrëse në marsh.
Në protestë morën pjesë edhe Sindikata e pavarur e policisë, arsimit dhe punonjësve të sigurimit privat dhe shumë sindikata tjera.
E derisa sindikalistet protestonin, disa të tjerë pushonin në hije, ndërsa ka edhe prej atyre që edhe sot kanë vazhduar me punë.
Përgatiti: Mevludin Imeri
