Kanë kaluar një javë nga vdekja e Janës 6 vjeçare. Prindërit e saj me sy të përlotur në një intervistë për “Sitel” rrëfejnë se si e morën lajmin e hidhur.
“Nuk mundem ta shpëtojmë Janën, kishim një rast të këtillë para pak kohësh te një fëmijë dy vjeçar, ky është një virus… u munduan të na inkurajojnë, se ka vdekur edhe një dy vjeçar. A doni obduksion? Po duam obduksion u thash, se vajza shëndosh na iku, ne të tronditur e këndej obduksioni. Mirë thanë do ta bëjmë, për dy orë ju thërrasim ta merrni fëmijën”, thonë prindërit e Janës.
Edhe pse vendosën të bëjnë obduksion, prindërit e Janës thonë se nuk u besojnë rezultateve e as sistemit shëndetësor. Meqë vajza e tyre nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër dhe sipas mjekut amë ka qenë shëndosh, prindërit e 6-vjeçares dyshojnë për lëshime gjatë trajtimit.
“Askush nuk mund të ma ndryshojë mendjen që kishte gabim mjekësor, ndoshta nuk ishte me qëllim por… Zoti u ndihmoftë të gjithë prindërve, i porosis që për fëmijët më mirë të shkojnë në spital privat të paguajnë. Unë nuk them që nuk ka mjek… mirëpo këto spitalet tona janë bërë si “rulet ruse”, shkon dhe nuk e di a do të mbijetosh a jo”, thonë prindërit e Janës.
Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm në Spitalin e Manastirit, ku ka ndërruar jetë Jana Hristovska, por nuk është konstatuar gabim i mjekëve. Ndërsa tashmë disa ditë Ministria e Shëndetësisë ka krijuar edhe një komision të pavarur ekspertësh për situatën, mirëpo ekspertiza nuk ka mbaruar ende e as nuk dihet se kur mund të dalin rezultatet.
“Komisioni për mbikëqyrje profesionale i formuar nga ministri i Shëndetësisë për këtë rast, tashmë është në terren dhe pas përfundimit të ekspertizës do të përpilohet një raport nga ekspertët për rrjedhën e trajtimit. Komisioni përbëhet nga specialistë të këtyre fushave: endokrinolog i fëmijëve, pulmolog, kardiolog, hemato-onkolog dhe anesteziolog”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Me moton “Të gjithë jemi Jana” dhe “Drejtësi për Janën” sonte do të protestohet në Manastir dhe Shkup. Organizatorët thonë se do të kërkojnë dorëheqje të menjëhershme dhe reforma në sistemin shëndetësor. Ndryshe Jana gjashtë vjeçare ndërroi jetë më 22 mars pasi kishte marrë infuzion në Spitalin klinik në Manastir. Sipas deklaratave të prindërve, sheqeri i saj u rrit nga 9 në 19 njësi dhe aty situata u ndërlikua, që çuan në vdekjen e vajzës.
