Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg motrën e madhe të familjes Kajtazi, Orialdën 18 vjeç, ndërsa për të voglën 14 vjeç është dhënë masa detyrim paraqitje. Dy motrat akuzohen se kanë tentuar të helmojnë me ushqim dy prindërit dhe motrën e madhe dhe se i kanë vënë zjarrin shtëpisë, duke u arratisur më pas. Ngjarja ka shokuar mbarë opinionin publik.
Gjatë seancës gjyqësore paraditen e sotme ato janë parë të qëndronin gjatë gjithë kohës të kapura dorë për dore me njëra-tjetrën, ndërkohë që në momentin që është dhënë vendimi, e vogla ka nisur të qajë. Ndërkohë edhe prindërit e Orialdës dhe Klevisës kanë pritur në Gjykatë me lot në sy dy vajzat e tyre, ndërsa janë shprehur se “prisnim të na kërkonin falje, por s’pranuan as të na takojnë”.
Të arrestuara tre ditë më parë në Vlorë, dy motrat që u larguan nga banesa e tyre në Durrës një muaj më parë, u paraqitën përpara Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës, për t’u njujohur me masën e sigurisë. Ato akuzohen nga prokuroria për shkatërrim të pronës me zjarr si edhe për vjedhje. Gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe për motrën më të madhe, Orialdën, dha masën e “arrestit me burg”, ndërsa për 14-vjeçaren Klevisa Kajtazi “det yrim paraqitjeje”. Të dyja motrat një muaj më parë u larguan nga banesa, pasi i kishin vjedhur kursimet prindërve dhe i vunë zjarrin asaj. Ato pretendojnë se i bënë këto veprime nga dhuna që ushtrohej ndaj tyre.
Arrestimin e dy motrave të cilat mbrohen me avokat nga shteti, Gjykata e ka cilësuar të ligjshëm. Në dosjen e prokurorisë bie në sy fakti që dy motrat Kajtazi, kanë tentuar që në muajin maj të helmonin prindërit, pasi këmbëngulin se janë keqtrajtuar fizikisht. Sa i përket ditës së ngjarjes, vajzat shpjegojnë se kur prindërit ndodheshin në spital, në shtëpinë e tyre erdhi policia dhe pas këtij momenti vendosën të largoheshin, pasi ndiheshin të rrezikuara dhe njëherazi donin t’u shpëtonin keqtrajtimeve.
