Sepp Blatter lajmëroi dorëheqjen nga drejtimi i qeverisë botërore të futbollit më 2 qershor, pas skandalit të korrupsionit dhe pastrimit të parave që përfshiu këtë institucion, por tashmë zvicerani nuk do të jetë më anëtar i kryesisë së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, detyrë të cilën e kryente që nga viti 1999.
Ka qenë vetë 79 vjeçari ai që i ka kërkuar presidentit të këtij organizmi gjermanit Thomas Bech që të mos e rikandidonin si anëtar të kryesisë së KON, duke e informuar se nuk do të merrte pjesë në asamblenë e cila sapo u përmbyll në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Blatter do të rizgjidhej në këtë post, pas një procedure formale, por që gjithsesi mandati i ri për shkak të moshës nuk do të zgjaste 8 vite , por deri në marsin e vitit 2016. Megjithatë presidenti i dorëhequr FIFA-s vendosi mos ta përmbushte detyrën e tij edhe si anëtar i kryesisë së komitetit olimpik ndërkombëtar duke u larguar menjëherë.
“ Blatter më shkroi një letër më 23 Korrik, ku theksonte se do kish qenë e papërshtatshme që ai të rizgjidhej edhe për 8 vite të tjera duke qenë se për 7 muaj do të largohet nga drejtimi i FIFA-s”- u shpreh Bech duke treguar arsyet se përse 79 vjeçari u tërhoq edhe ng a kjo detyrë.
Më 26 Shkurt do të zyrtarizohet edhe largimi përfundimtar i zviceranit nga froni i qeverisë botërore të futbollit, pas zgjedhjeve që do të përcaktojnë presidentin e ri.
