​AGK e shqetësuar me lirinë e medias në Kosovë

TË FUNDIT

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret vlerësimin e fundit të organizatës “Freedom House”, dhe shprehë shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë.
Kosova vazhdon të radhitet në mesin e vendeve pjesërisht të lira dhe këtë vit zë vendin e 100-të, që është për dy pozita më keq se një vit më parë.

Kjo situatë shpërfaqë gjendjen e rëndë dhe kushtet e pafavorshme për ushtrimin e lirë të profesionit të gazetarisë në Kosovë. Ndërkaq, kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve në rritje kërkon vëmendje të posaçme nga organet e rendit për gazetarët.

Të vetëdijshëm se liria e shprehjes dhe e medies është një prej vlerave më të rëndësishme të një shoqërie demokratike, AGK u bënë thirrje insitucioneve të vendit që të kenë prioritet lirinë e shtypit dhe punën e gazetarëve dhe të marrin masa për krijimin e një ambienti të sigurt për gazetarët.

AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe iu bën thirrje gazetarëve që të vazhdojnë ta ngrenë zërin për problemet që hasin gjatë punës së tyre.