Të mos harrohet “Lagja e trimave”! 5 vjet më parë Kumanova u zgjua nën breshërinë e plumbave!

TË FUNDIT

Si sot e pesë vitë më parë, Lagja e Trimave në Kumanovë u zgjua nën breshërinë e plumbave.

Banorët nuk ishin në dijeni se çfarë po ndodh në mëngjesin e hershëm të 5 majit. Luftimet zhvilloheshin në mes të ashtuquajturit Grupit të Kumanovës dhe Njësive speciale të shtetit.

Lagjja mbeti e bllokuar dhe e rrethuar me mjete të blinduara të policisë.

Gjatë përleshjes me armë humbën jetën 8 anëtarë të njësisë speciale, dhe 10 nga grupi i Kumanovës.

Sot pas pesë vjetësh kujtohet si një ngjarje e rëndë për vendin, dhe si ngjaje që nuk duhet të përsëritet më.

Por ende nuk ka përgjigje dhe arsye se përse ndodhi ngjarja e Kumanovës.

“Unë jam sot këtu në Lagjen e Trimave e cila është rindërtuar por dhimbja si për mua ashtu edhe për qytetarët e mi është e madhe. Janë ndërruar shumë ministra në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe funksionarë, por asnjëri nuk tregoi a kishte motive politike apo me të vërtetë ndodhi diçka që sot nuk ka asnjë shpjegim”, deklaroi Maksim Dimitrievski –  kryetar i Kumanovës.

Kryeministri i vendit Oliver Spasovski kujton ngjarjen si shqetësuese dhe tragjike.

“Një ngjarje jashtëzakonisht shqetësuese dhe tragjike, e cila u regjistrua më vonë në arkivat e gjykatave si një “kërcënim terrorist për rendin dhe sigurinë kushtetuese. Kjo ngjarje tragjike do të mbetet përgjithmonë një traumë e thellë për bashkëqytetarët e mi të Kumanovës dhe për qytetarët e vendit tonë”, shkroi Oliver Spasovski – kryeministër.

Muhamed Zeqiri deputet i LSDM-së ka shkruar duke thënë se asaj kohe, drejtor i agjencisë së inteligjencës ishte Naqe Çulev.

“Naqe Çulev a fle qetësisht ??? Ai atëherë ishte drejtor i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sinisha dhe Shenasi ishin aktorët tuaj kryesor … shkroi Muhamed Zeqiri – deputet LSDM-së.

Ministri i Punëve të Brendshme Naqe Çulev në postim u shprehu ngushëllime familjarëve dhe më të afërmve të pjesëtarëve të policisë të cilët ndërruan jetë gjatë aksionit.

“Në radhë të parë, si Ministër i Brendshëm dhe si qytetar, ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve dhe të dashurve të anëtarëve të rënë që dhanë jetën në këtë ditë pesë vjet më parë, në mbrojtje të rendit kushtetues, paqes dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve. shkroi Naqe Çulev – ministër i Punëve të Brendëshme.

Edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët kujtoi sot Lagjen e Trimave.

Ai theksoi se kërkoni që të ketë hetim ndërkombëtarë për rastin e Kumanovës.

“Sot u mbushën 5 vjet nga aksioni i Kumanovës, kryesisht Lagjen e Trimave. Lotët e vajzës së vogël Zamirës, trishtimi i banorëve të Lagjës së Trimave dhe tradhëtia ndaj ish-bashkëluftëtarëve do t’i ndjekin në çdo moment të gjithë ata që kanë gisht në përgatitjen dhe realizimin e skenarit të Kumanovës”! ka thënë Ziadin Sela – kryetar i ASH-së.

746 vjet burgim për veprën terrorizëm ishin dënuar gjithsej 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilët u shpallën fajtorë për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Të dënuarit nuk e pranojnë dënimin e tyre, ata kërkojnë që rasti i Kumanovës të rihetohet nga ndërkombëtarët.