​Prishtina, një kaos i madh trafiku

TË FUNDIT

Kryeqyteti i Kosovës që nga fillimi i sezonit veror ngjan në një kaos të vërtet nga numri i madh i veturave që çdo ditë frekuentojnë atë.

Parkimet e veturave vend e pavend, zënia e trotuareve nga veturat, renovimet e disa rrugëve kryesore në Prishtinë, si dhe pjesëmarrja në komunikacion e automjeteve me tabela të huaja, e që u përkasin bashkatdhetarëve tanë, sipas zyrtarëve policorë por edhe komunalë, kanë ndikuar në këtë kaos.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu në një prononcim tha se tollovia e krijuar në qytet si pasojë e gropave si dhe parkingjeve vend e pavend , do të fillojë të mënjanohet, por se sezoni veror është koha kur kryhen punime infrastrukturore. Mullafazliu mes tjerash përmend edhe shifrën prej 18 milionë eurove që Drejtoria e Infrastrukturës ka zotuar t’i ndajë si pjesë e investimeve në infrastrukturë.

Zëdhënësja Mullafazliu tha se nga komuna tashmë ka filluar të bëhet identifikimi i parkingjeve në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” dhe shumë shpejt do të fillojë edhe trajtimi i komplet bulevardeve në rrugën “ Luan Haradinaj” dhe në rrugën” Garibaldi”.

E tërë kjo sipas saj do të shkaktojë tollovi në trafik dhe qytet, porse janë duke punuar me kapacitete të shtuara në mënyrë që punët të përfundojnë sa më shpejt.

Arsye të tjera sipas saj përveç gropave dhe rrugëve të dëmtuara, janë edhe përqendrimi i të gjitha institucioneve qendrore në kryeqy tetet, si dhe shtimi i vizitave të mërgimtarëve gjatë muajve të verës.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti, në një përgjigje ka konfirmuar se muajin e fundit janë shtuar ngarkesat në trafik brenda kryeqytetit dhe se kjo ngarkesë vërehet sidomos në orët e paradites.

Kjo ngarkesë, sipas Ahmetit, më pastaj ka prodhuar edhe shqiptim të gjobave të cilat, për periudhën njëmujore, prej 01deri më 29 korrik 2015, janë gjithsej 1 mijë e 189 gjoba.

Mirëpo, përkundër kësaj gjendjeje, Ahmeti ka theksuar se numri i aksidenteve, duke përjashtuar ato në dalje të Prishtinës, mbetet i njëjtë.

Në statistikat që zyra për informim ka dërguar  njësiti i trafikut që operon në qytetin e Prishtinës gjatë operacionit “Respektimi i Semaforit”, për mosrespektim të semaforit(drita e kuqe) janë shqiptuar 504 tiketa, për rreshtim të gabuar 485 tiketa, si dhe për kundërvajtje të tjera janë shqiptuar 200 gjoba, të cilat gjithsej bëjnë 1 mijë e 189 gjoba.