​Kurti: Një lëvizje pa popull dhe një popull me lëvizje

TË FUNDIT

​Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka ligjëruar në Universitetin Veror në Prishtinë mbi pjesëmarrjen politike dhe organizimin e një lëvizjeje politike.

Kurti ka thënë se lëvizja politike i bën njerëzit të angazhuar dhe se ato lëvizje përbëhen prej njerëzve të angazhuar që u bëjnë thirrje qytetarëve për angazhim. Kjo sjell shpresën e llojit të ri që nuk bazohet në pritje por në vetë angazhimin, theksoi ai.

“Kemi parë degradimin e demokracisë përfaqësuese në demokraci elektorale. Kjo i ka shkurajuar njerëzit që të aktivizohen duke i shndërruar ata në spektatorë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ka treguar se pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën politike e sheh të domosdoshme.

“Njerëzit duan të marrin pjesë sepse përfaqësimi po shënon mungesën e tyre. Pjesëmarrja të bën të pranishëm. Dhe, nuk ka pjesëmarrje pa lëvizje”, ka shtuar Kurti.

Ai ka shpjeguar edhe për rolin që ka organizimi i brendshëm i një lëvizjeje duke përmendur tri rreziqet më të mëdha që i kanosen asaj: lodhja, devijimi dhe dogm atizmi.

Kurse, teksa fliste për fitoret, është shprehur se idetë e drejta e të mira e bëjnë një organizatë që të fitojë. Por, ai humbjet ia atribuon organizatës. “Një lëvizje politike mund të humbas për shkak të dobësisë së organizatës, mirëpo fitorja e një lëvizjeje politike nuk bën të jetë fitore e fuqisë së organizatës por e idesë politike dhe konceptit socio-ekonomik.”

Ndërkaq për aspektin radikal të lëvizjes politike, përveç tjerash, ai tha që aktivistët e një lëvizjeje politike duhet të jenë radikal për nga qëndrimi që kanë dhe angazhimi që bëjnë për temat socio-politike e jo radikal për nga karakteri i tyre personal.

Prezantimin e tij Kurti e përmbylli me fjalinë: “Një lëvizje pa popull mbetet Asgjë Një popull me lëvizje bëhet Gjithçka”. Më pas, ai iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve të vendit e ndërkombëtarë, bashkëbisedimi me të cilët vazhdoi edhe gjatë pu shimit midis sesioneve.