Zyberi ia përcjell Bislimovskit ankesat e qytetarëve! Kërkon që EVN 4 herë në vit t’i lexojë orëmatësit

TË FUNDIT

EVN 4 herë në vit t’i lexojë orëmatësit e rrymës sepse qytetarët po ankohen për fatura të larta dhe joreale i tha Avokati i Popullit, Naser Zyberi, kryetarit të Komisionit Rregullatorë për Energjetikë, Marko Bislimvoskit. Zyberi tha se numër më i madh i ankesave ka arritur në fundin e vitit 2021 kur edhe është rritur çmimi i energjisë elektrike.

“Operatori ka obligim që një herë në vit të bëj leximin e njësive matëse. Ne mendojmë se ky obligim shkakton problem serioze për qytetarët dhe prandaj kërkojmë që kjo të ndryshojë dhe në biseda nga dy takimet që kishim me përfaqësues të KRrE erdhëm në përfundim se do të ndryshohet rregullativa dhe KRrE do të propozojnë që minimum 4 herë në vit të lexohen gjithë njësitë matëse e sipas nevojës kjo të bëhet edhe më shpesh. Kjo do të ndihmon tek qytetarët që të pranojnë llogari më objektive dhe reale për rrymën e harxhuar”, tha Naser Zyberi, Avokat i Popullit.

Në takimin mes Avokatit të Popullit dhe kryetarit të KRrE u fol edhe për mundësin që qytetarëve t’u bëhen lehtësime në pagesën e rrymës. Kjo nënkupton se nëse qytetarët duan që të kenë shpenzime të balancuara të energjisë elektrike, llogaritë e sezonit dimëror t’i hedhin në periudhën kur shpenzimet dhe llogaritë janë më të vogla.

“Nëse qytetari ngrohet me rrymë elektrike është fakt se dimrit do të ketë pikun. Nëse dëshiron që shpenzimet e energjisë elektrike t’i ketë të balancuara, kjo është esenca, vetëm nëse dëshiron qytetari. Fakt është se nëse ngrohet më rrymë ndoshta paguan 6000 denarë, përsëri 6000, pastaj në mars paguan 4000, në prill 2500, në muajt e verës 1500 dhe kjo të jetë më e balancuar. Është si opsion që qytetarët të bëjnë shpërndarje të balancuar të buxhetit të vet”, pohoi Marko Bislimovski, kryetar i KRRE-së.

Bislimovski paralajmëroi se do të realizojë takim me furnizuesin universal të energjisë elektrike “EVN Home” që shqyrtohen këto mundësi që t’u lehtësohet pagesa qytetarëve për faturat e energjisë elektrike dhe të kenë fatura të balancuara gjatë gjithë vitit.