Për shqetësimet lidhur me projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, është pyetur Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, në një konferencë me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian. Ai u ndal veçanërisht te lidhja mes modelit të zhvillimit të bazuar në turizëm dhe angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e Kapitullit 27, i cili lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Sipas Hoxhës, ky kapitull është ndër më të rëndësishmit dhe më kërkuesit në negociatat me Bashkimin Evropian, pasi kërkon investime të mëdha dhe standarde të larta mjedisore. Ai theksoi se institucionet shqiptare po punojnë paralelisht në të gjitha kapitujt e negociatave dhe se, sipas tij, investimet e ardhshme do të jenë në përputhje me kriteret dhe standardet evropiane.
Duke komentuar edhe reagimet e Komisionit Evropian për situatën, Hoxha tha se Brukseli po e ndjek çështjen si çdo zhvillim tjetër në Shqipëri dhe se deri tani nuk ka prova për pasoja konkrete, por vetëm vlerësime paraprake. Ministri shtoi se bashkëpunimi me institucionet evropiane do të vazhdojë, ndërsa Shqipëria, sipas tij, është e vetëdijshme për detyrimet që ka në procesin e integrimit.
