“ZNAM-it i qoftë udha e mbarë” – Ibrahimi: Deputetë të Frontit Europian po i vardisen Mickoskit

TË FUNDIT

Jo vetëm çështja e diasporës, ZNAM i ka reaguar VLEN-it edhe për përdorimin e flamurit shqiptar në Qeveri, madje e kanë kundërshtuar edhe themelimin e akademisë shqiptare për shkencë dhe artë. Por deri ku mund të shkojnë këto mospajtime mes këtyre dy partnerëve të koalicionit. Kryetari i AAA Zeqirija Ibrahimi në Daily Click tha se ZNAM-in nuk e ndal askush, lirisht le ta braktisin Qeverinë.

-A mund të vini deri në një pikë që t’i thoni ZNAM-it, o ju o ne në Qeveri?

“Për ne Znam nuk është parti e rëndësishme. Është parti periferike dhe e vogël dhe nuk është e rëndësishme çfarë thonë ata. Ata mund të flasin për çfarëdo çështje por kjo nuk na vë neve përpara asnjë detyrimi, qoftë për temën e përdorimit të flamurit apo tema tjera. Ata thanë se po qesë ne vazhdojmë ta përdorim flamurin ata do të dalin nga Qeveria. Udha e mbarë ju qoftë, askush i ndalë. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje me ta”, tha Zeqirija Ibrahimi.  

Sipas Ibrahimit, shumica është stabile, bile shtoi se ka deputet të Frontit Europian që i vardisen Mickoskit për tu bashkangjitur në shumicën parlamentare.

“Ka deputet të frontit që i vardisen pushteti dhe ja bëjnë me sy Mickoskit se janë të gatshëm ta kalojnë gardhin”, tha Ibrahimi.

-Dmth të Fe, jo të LSDM?

“Të FE, por mund të ketë edhe të LSDM, por ka deputetë të FE. Andaj kjo na ka hendikepuar edhe neve si VLEN dhe gjithë të tjerët që janë pjesëmarrës në Qeveri, sepse VMRO realisht e krijon shumicën me 58 numrat  e vet dhe 3 numra të FE që janë të gatshëm në çdo çast ta bëjnë shumicën”, u shpreh ai.

Ibrahimi gjithashtu shtoi se ata nuk janë të lidhur për kolltukët e Qeverisë dhe sa i përket ndryshimeve kushtetuese tha se mbeten në afatin që i kanë dhënë kryeministrit për të gjetur zgjedhje. Ai nuk përjashtoi mundësinë e braktisjes së Qeverisë, nëse brenda kësaj periudhe nuk arrihet progres.