Zjarri në një kamp refugjatësh ka lënë 3.000 myslimanë rohingjë të pastrehë në Bangladesh

TË FUNDIT

Më shumë se 3.000 myslimanë rohingjë kanë mbetur të pastrehë pasi një zjarr shpërtheu në njërin nga kampet e refugjatëve në Bangladeshin jugor, deklaroi sot përfaqësuesi zyrtar, transmeton DPA.

“Zjarri shpërtheu këtë mëngjes në kampin Nojapara Rohingja në Tekanaf, në zonën e Koks Bazar, duke shkatërruar më shumë se 500 shtëpi të improvizuara të ndërtuara kryesisht nga fletë bambu dhe polietileni”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë lokale Saiful Islam.

Ai shtoi për DPA-në se deri më tani nuk ka viktima të paraqitura gjatë zjarrit, të cilin zjarrfikësit e shuan për më shumë se një orë.

“Shkaku i zjarrit nuk mund të përcaktohet në këtë kohë”, tha Islami, duke shtuar se deri më tani më shumë se 3.000 njerëz kishin jetuar në këto shtëpi të improvizuara.

Agjencitë e ndihmës, së bashku me Qeverinë lokale, janë në procesin e shpërndarjes së mjeteve të ndihmës për viktimat, shtoi ai.

Bangladeshi ka pranuar më shumë se një milion myslimanë rohingje në kampe të stërmbushura në rrethin juglindor të Koks Bazar pasi kishin ikur përndjekjes në vendin e tyre të lindjes, në Mianmarin fqinjë.