Duket sikur koha ka ndaluar në vitet e ’80-ta në këtë bazë zjarrfikësish në Gjorçe Petrov.
Për vjetërsinë e kamionëve dhe mungesën e zjarrëfikësve, pyetëm edhe kryetarin e qytetit të Shkupit Petre Shilegov.
Edhe pse e pyetëm konkretisht për këtë bazë, ai disa herë përmendi shkallën e zjarrfikësve e cila ka kushtuar 1.7 milion euro.
“Ne për pak ditë do të duhet ta kemi shkallën, atë shkallën e famshme e cila është kulmi i teknologjisë tek zjarrfikësit, e cila ka munguar për 30 vite. Për fat të keq tek zjarrfikësit në Shkup por edhe në gjithë vendin shumë pak është investuar. Ajo që kemi bërë ne për 3 vjet është se kemi porositur para se gjithash mjete për pajisje për mbrojtje personale ku seriozisht ka munguar tek zjarrfikësit”, deklaroi Shilegov.
Kryetari i Shkupit deri sa flet për sigurinë e zjarrfikësve, kjo është ulësja e zjarrfikësit në kamionin e tij në Gjorçe Petrov.
Këto dy kamionë të viteve ‘80 duhet të mbulojnë dy komuna.
E nëse do të kishte zjarr në fshatin më të largët nga baza e zjarrfikësve me makinë udhëtohet për 31 minuta, e me këto kamionë sigurisht rruga do të shkonte edhe më gjatë.
Sipas një hulumtimi të bërë nga qendra për komunikim me qytetarët, thonë se kamionët e zjarrfikësve mesatarisht janë të vjetër 27 vjet.
“Njësitë zjarrfikëse territoriale në vendin tonë kanë vetëm 220 mjete për mbrojtje kundër zjarrit duke i llogaritur këtu jo vetëm cisternat por edhe veturat për shuarjen e zjarrit, por edhe të gjitha automjetet e tjera të ekipeve zjarrfikëse. Në vend ka 30 njësite të këtilla. Vjetërsia mesatare e këtyre automjeteve është 27 vjet dhe madje 154 nga 220 automjetet (70%) janë prodhuar në shekullin e kaluar. Më të vjetra janë dy automjete nga viti 1966 që janë në Strumicë (nga tipi FAP 13) dhe në Vallandovë (nga tipi TAM 5500)”, thanë nga Qendra për komunikim me qytetarët.
E kryetari i Qytetit të Shkupit thotë se me shkallën e porositur të zjarrfikësve do të zmadhojë efikasitetin dhe sigurinë e zjarrfikësve.
Zjarrfikësit jashtë kamerave i thanë TV21 se janë para pensionit, ndërsa janë të shqetësuar se nuk do të ketë kush t’i zëvendësojë.
