As partnerët e koalicionit nuk po arrijnë t’ia ndryshojnë mendjen kryeministrit Zoran Zaev që të mos dorëhiqet nga posti. Ai deri në fund të kësaj jave pritet që dorëheqjen ta deponojë në Kuvend. Kryetari në largim, Petre Shilegov, siç mësojmë jozyrtarisht, gishtin për humbjen e Shkupit në zgjedhjet lokale e drejton kah Zaevi. Nga dega e LSDM-së në Shkup, thonë se Radmilla Shekerinska ka ambicie dhe kapacitet për t’u ulur në kolltukun e kryeministrit dhe për ta udhëhequr partinë. Me këtë, siç shtojnë burimet, LSDM-ja do të bashkohej, por nga ana tjetër, siç mësojmë, Zaevi “luan” me emrin e Sanja Llukarevskës. Edhe Branko Cërvenkovski ka synime ta marrë udhëheqjen me LSDM-në.
“Tashmë ndihet tendenca pas largimit të Zaevit se disa grupime kanë paraqitur ambicie, grupime këto të cilat deri tash nuk ishin të kënaqura nga mënyra në të cilën LSDM-ja e udhëhiqte politikën duke filluar nga Marrëveshja e Prespës e deri në ditën e sotme. Mendoj se dini për cilin grupim bëhet fjalë, grupim të cilin e drejton ish-kryetari i LSDM-së, ish-President dhe kryeministër i vendit, Branko Cërvenkovski, e ai nuk e fsheh këtë”, tha ish-kryetari i LSDM-së, Vllado Buçkovski.
“Jutarnji list” duke e komentuar dorëheqjen e Zaevit, shkruan se BE-ja ka zhgënjyer shumë vende, kurse njërën prej tyre e ka shkatërruar thuajse tërësisht. Është fakt i pakontestueshëm se edhe BE-ja do të mbajë përgjegjësi për tensione të mundshme të reja dhe paqëndrueshmërinë politike.
“JUTARNJI LIST”
Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë, gjegjësisht Maqedonisë së Veriut (ky shtet ishte i detyruar ta ndryshojë edhe emrin me shpresë se do të hapen dyert për anëtarësim në BE), Zoran Zaev dha dorëheqje, pasi partia e tij pësoi humbje të rëndë të zgjedhjet lokale. Në shikim të parë, duket si akt i arsyeshëm, dëshmi se ndjen përgjegjësi për dështimin, gjë që nuk është ndonjë karakteristikë e politikanëve në Ballkan. Lideri i partisë është më meritor kur fiton, por edhe më përgjegjës kur humb. Por, dorëheqja e Zaevit ka kontekst më të gjerë.
Maqedonia ishte vendi i parë në rajon kur bëhet fjalë për rrugën drejt BE-së, para Kroacisë. Maqedonia ishte e para që e lidhi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim. Kroacia hyri në BE para më shumë se 8 viteve , kurse Maqedonia e Veriut ende është duke e pritur hapin e parë – hapjen e negociatave, shkruan “Jutarnji list”. Por, cila është alternativa? A është më mirë që në vend të BE-së, Maqedonia të bëhet pjesë e Zonës Ekonomike Evropiane? Qëndrim morëm nga Marjan Bojaxhiev nga “Kolegji Amerikan” në Shkup.
“E dyta, absolutisht është zonë e tregtisë së lirë, bashkim doganor, gjegjësisht bashkim pa taksa brenda rajonit. E treta është marrëdhënia partneriteti, atë që ne për momentin nuk e kemi. Domethënë EEA (European Economic Area) ka partneritet me BE për shumë çështje të cilat i tangojnë dhe i zgjidhin bashkërisht. Gjëja e katërt dhe më e rëndësishme është sundimi i së drejtës – që shohim se është problemi më i madh”, u shpreh Marjan Bojaxhiev.
Vizioni të cilin Zaevi e realizoi “Një shoqëri për të gjithë” ishte mbështetur dhe mirëpritur nga faktori ndërkombëtar. Shumë prej tyre thonin se kjo është ana më e fortë e Zaevit si politikan, por njëkohësisht parashtrohet edhe pyetja – a mund Zaevi ta vazhdojë dhe ta promovojë këtë vizion jashtë politikës? Koalicioni i udhëhequr nga socialdemokratët fitoi shumicë të vogël në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën vitin e kaluar. Zaevi është në krye të Qeverisë nga viti 2017. Ai ishte iniciator për Marrëveshjen e Prespës, e cila e hapi rrugën drejt BE-së, kurse vitin e kaluar vendi u bë pjesë e NATO Aleancës.
