ZHBOGAR DORËZON RAPORTIN NË PRESIDENCË, PENDAROVSKI KËRKOI PËRGJEGJËSI NGA POLITIKBËRËSIT

TË FUNDIT

Euroambasadori Samuel Zhbogar i dorëzoi Presidentit Stevo Pendarovski raportin e progresit ku rekomandohet që Maqedonia e Veriut të nisë negociatat aderuese për në Bashkimin Evropian.

E për ta pritur lajmin e mirë nga Brukseli, në vilën Vodno Pendarovski mblodhi liderët e partive parlamentare, kryekuvendarin dhe kryeministrin, gjë që i pëlqeu ambasadorit Zhbogar.

“Konsideroj se kjo është kurajo për një kohë të re që po vjen për shtetin dhe për të ardhmen që e pret shtetin”, potencoi euroambasadori, Samuel Zhbogar.

Zhbogar tha se rekomandimi është i pastër dhe se vendi është i gatshëm menjëherë t’i nisë bisedimet, ndërsa shtoi se puna nuk duhet ndalur këtu.

“Sigurisht se punët s’duhet të ndalojë tani me raportin, por mendoj se reformat duhet të vazhdojnë sepse ka ende shumë punë që duhet bërë dhe unë me të vërtetë pres që entuziazmi dhe këmbëngulja do të vijnë nga Shkupi”, tha Samuel Zhbogar, euroambasador.

Presidenti Pendarovski u shpreh se pret që në qershor vendi të marrë datë për bisedime, që vendi të mos bëhet koleksionuese e raporteve pozitive ndërsa u kërkoi politikbërësve të vendit të tregojnë përgjegjësi për rrugën europiane të vendit.

“Çdo zvarritje shtesë e nisjes së bisedimeve, do të ndikonte me demotivim në shoqërinë tonë dhe do të ketë implikime serioze ne proceset reformuese, por njëkohësisht mund të kuptohet edhe si nxitje e politikanëve antievropianë në rajon, që është në kundërshtim me përpjekjet për stabilizim dhe integrim të rajonit”, theksoi presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.

Kryeparlamentari Talat Xhaferri tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut pa kusht e mbështesin rrugëtimin e përbashkët strategjik drejt Bashkimit Evropian.

“Kemi përmbushur pritshmëritë që të realizojmë  atë që është ëndërr e çdonjërit prej nesh, me shpresën që ky raport të rrumbullakësohet me aktin e vendimit përfundimtar të Këshillit të Unionit Evropian për përcaktim të datës për hapje të negociatave paraaderuese për në Unionin Evropian”, u shpreh kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kryeministri Zoran Zaev shprehu gatishmërinë e vendit për nisje të negociatave ndërsa pret vendim pozitiv edhe nga Këshilli Evropian.

“Sot jemi të përgatitur si politikisht edhe institucionalisht dhe tërësisht si shoqëri. Pas këtij rekomanidimi për një kohë të shkurtër do ta kompletojmë edhe ekipin negociator ndërsa jemi edhe kah fundi I skriningut teknik për të gjithë kapitujt. Detyrat tona I kryejtëm nga fillimi deri në fund. Jemi tërësisht të përgatitur për nisje të negociatave. Tani rradhën e kanë  shtetët anëtare dhe institucionet e BE-së. Rradhën e ka Evropa të japë vendim dhe besim që do të na e sjellë në bazë të meritave tona”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Maqedonia e Veriut tashmë 14 vite është vend kandidatë për anëtarësim në BE, ndërsa rekomandimi i sotëm është i 10-ti me radhë.

Përgatiti: Besir Arifi