Vetëm një në tre 15-vjeçarë në Maqedoni, kanë njohuri bazë në matematikë, lexim dhe shkencë

TË FUNDIT

Nxënësit e Maqedonisë së Veriut kanë arritur rezultate më të ulëta se mesatarja e vendeve të OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) në të tri fushat kryesore – matematikë, lexim dhe shkencë, si dhe në zgjidhjen e problemeve kompjuterike. Kjo tregohet nga rezultatet më të fundit të vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2025, i cili mat aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e njohurive në situata reale, përcjell TV21.

Sipas rezultateve, në nivel global është shënuar rënie e performancës në lexim dhe matematikë. Në Maqedoninë e Veriut, nxënësit 15-vjeçarë kanë shënuar rezultate më të dobëta në matematikë krahasuar me vitin 2022, ndërsa rezultatet në lexim dhe shkencë kanë mbetur afërsisht në të njëjtin nivel.

Testimi ka treguar gjithashtu se shumica e nxënësve në vend përballen me mangësi serioze në aftësitë bazë.

Në matematikë, vetëm 32 për qind e nxënësve kanë arritur të paktën nivelin bazë të njohurive, ndërsa mesatarja e OECD-së është 65 për qind. Vetëm rreth 1 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut kanë arritur rezultatet më të larta, përkatësisht nivelet 5 ose 6.

Në shkencë, rreth 36 për qind e nxënësve kanë zotëruar konceptet bazë. Ata janë në gjendje të identifikojnë shpjegimin e saktë për fenomene të njohura shkencore dhe, në raste të thjeshta, të përdorin njohuritë për të përcaktuar nëse një përfundim është i vlefshëm bazuar në të dhënat e dhëna. Megjithatë, sipas raportit, asnjë nxënës nuk ka arritur nivelet më të larta 5 ose 6 në këtë fushë.

Në lexim, rreth 26 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut kanë arritur nivelin 2 ose më të lartë, ndërsa asnjë nga nxënësit e testuar nuk ka arritur nivelet më të larta.

Në nivelin minimal, këta nxënës mund të identifikojnë idenë kryesore në një tekst me gjatësi mesatare, të gjejnë informacione bazuar në kritere të qarta, ndonëse ndonjëherë komplekse, si dhe të reflektojnë mbi qëllimin dhe formën e tekstit kur udhëzohen në mënyrë të qartë.

Raporti tregon gjithashtu se nga viti 2022 deri në vitin 2025 është rritur hendeku ndërmjet 10 për qind të nxënësve me rezultatet më të larta dhe 10 për qind të atyre me rezultatet më të dobëta në të tri fushat – matematikë, lexim dhe shkenca natyrore.

Teknologjia dhe inteligjenca artificiale

Sa i përket përdorimit të teknologjisë, 33 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut kanë deklaruar se bashkëmoshatarët e tyre shpesh shpërqendrohen nga pajisjet digjitale gjatë orëve të shkencës.

Nxënësit që kanë raportuar shpërqendrim digjital kanë arritur mesatarisht 22 pikë më pak në test.

Për të frenuar këtë problem, sipas raportit, 60 për qind e shkollave në vend kanë vendosur ndalesë për përdorimin e telefonave celularë.

Ndërkohë, inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e përditshmërisë së nxënësve. 44 për qind e tyre kanë deklaruar se përdorin chatbotë me inteligjencë artificiale për detyra shkollore të paktën një herë në javë, kryesisht për kërkime fillestare, përmbledhje tekstesh dhe përgatitjen e eseve.

Gjendja socio-ekonomike dhe mbështetja nga mësuesit

Statusi socio-ekonomik mbetet një faktor që ndikon në suksesin e nxënësve, por në Maqedoninë e Veriut ai përbën 7 për qind të ndryshimeve në rezultatet e shkencës, më pak se mesatarja e OECD-së prej 12 për qind.

Rreth 18 për qind e nxënësve nga familjet me gjendje të pafavorshme socio-ekonomike kanë arritur rezultate që i vendosin në kuartilin më të lartë të performancës në shkencë. Sipas raportit, këta nxënës mund të konsiderohen akademikisht rezistentë, pasi pavarësisht kushteve të pafavorshme socio-ekonomike, kanë arritur rezultate të larta arsimore krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në vend.

Një trend pozitiv është vërejtur në marrëdhëniet me mësuesit. 80 për qind e nxënësve deklarojnë se mësuesit tregojnë interes për të nxënit e tyre dhe u ofrojnë ndihmë shtesë.

Nga ana tjetër, është shënuar rënie e mbështetjes familjare dhe e diskutimeve për problemet shkollore në shtëpi krahasuar me vitin 2022. Gjithashtu, është rritur numri i mungesave nga orët mësimore dhe rasteve të vonesave në shkollë.

Vlerësimi PISA 2025 në Maqedoninë e Veriut është realizuar në një mostër përfaqësuese prej 6.977 nxënësish nga 124 shkolla, duke përfaqësuar rreth 90 për qind të popullsisë së përgjithshme të 15-vjeçarëve në vend.