Zhbllokohen udhëkryqet “Mavrovasja” dhe “Kryqi i Kuq”/ Përfaqësuesit e kompanive kërkojnë takim me kryeministrin

TË FUNDIT

Pas bllokadës 4 ditore, transportuesit privatë sot vendosën të zhbllokojnë dy prej udhëkryqeve të Shkupit, atë tek Qendra tregtare “Mavrovasja” dhe te “Kryqi i Kuq”. Autobusët janë transferuar në Bulevardin “Ilindenska” afër Qytetit të Shkupit. Përfaqësuesi i transportuesve privatë u shpreh se sot do kërkojnë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për të folur për një zgjedhje të problemit me ndihmën e Qeverisë.

“Do të kërkojmë ndihmë nga institucioni relevant nga Qeveria e RMV-së ku sipas mundësive dhe autorizimeve të tyre do të kërkojmë zgjidhje. Ata e dinë më mirë megjithatë a do ia marrin kompetencat Kryetares së Shkupit për Transportin Publik të Qytetit, ose a do e formojnë ndonjë Komision për ta zgjidhur shumë shpejtë problemin, ata e dinë këtë gjë, unë e them atë që ne e mendojnë dhe që e dëshirojmë”- deklaroi Kemal Muriq, përfaqësues i transportusve privatë.

Pas kësaj përfaqësuesit e autobusëve shkuan në Qeveri për të bërë kërkesë për t’u takuar me Kryeministrin. Kur dolën, nuk kishin marrë ndonjë përgjigje nëse takimi do të ndodhë dhe nëse po, kur?

“Ne kemi paraqitur kërkesë dhe presim përgjigje dhe shpresojmë që për një kohë të shpejtë zotëri kryeministër do na pranojë që t’i prezantojmë problemet tona dhe kërkesat si autorizim më i lartë në RMV.”- tha Kemal Muriq, përfaqësues i transportusve privatë.

Kompanitë e autobusëve privatë të Shkupit me ditë protestojnë duke kërkuar nga Qyteti i Shkupit, përkatësisht Ndërmarrja Qarkulluese Publike, që të shlyejë borxhin që ka ndaj tyre, por deri më tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje nga Qyteti ose NQP-ja, nga ku thonë se borxhi është i trashëguar dhe jo nga mandati i drejtorit aktual.