“Në bifenë e parlamentit ajo do të zgjidhej shumë më lehtë se sa në takim liderësh”. Në këtë formë, presidenti Stevo Pendarovski e ka vlerësuar një takim liderësh për zhbllokimin e Kuvendit.
Duke parafrazuar deklaratat e kryeministrit Zoran Zaev, ku tregon se për Kodin Zgjedhor dhe Qendrën Klinike kanë pasur një sërë takimesh të pasuksesshëm me opozitën, Pendarovski e ka cilësuar si të panevojshëm uljen e liderëve në një tryezë.
“Nëse dy persona nuk mund të merren vesh se nëse gota është e plotë apo gjysmë e mbushur, atëherë pse duhet të ulen më shumë veta në një tryezë? Këtu e kam logjikën. Nuk ik nga ajo përgjegjësi. Megjithatë, mendoj se për takimet e liderëve, është krijuar një mistifikim rreth asaj forme të bisedimeve mes liderëve, që për fat të keq na ka marrë pas vetes për 20 vjet”, tha Pendarovski në ClickPlus.
Ai një takim liderësh të suksesshëm mund ta cilësonte, vetëm në rast se në të marrin pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtar, siç ka ndodhur gjatë përpilimit të Marrëveshjes së Përzhinos.
“Nëse ka faktor ndërkombëtar, presioni do të jetë më i madh e me shumë gjasë atëherë mund të kemi zgjidhje. Megjithatë, vetëm subjekte vendore në takim liderësh, do të ishte e gabueshme”, tha Pendarovski.
Sa i takon mungesës së kuorumit në Kuvend, ka vlerësuar se është krijuar për shkak të pandemisë dhe rasteve pozitive në radhët e deputetëve, por shton, se “nëse tempoja e miratimit të ligjeve është kështu e ngadaltë edhe pasi të kalojë Kuvendit, atëherë mund të flasim për probleme politike”.
