Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka kritikuar qëndrimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, lidhur me Kosovën, duke e cilësuar atë si një “gabim diplomatik”.
Goncharenko, i cili është një nga mbështetësit më të zëshëm të njohjes së Kosovës në Ukrainë dhe iniciues i projektligjit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Parlamentin ukrainas, reagoi pas deklaratave të bëra gjatë vizitës së Zelenskyt në Beograd.
Gjatë takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, pala ukrainase rikonfirmoi qëndrimin aktual të Kievit për çështjen e Kosovës.
Pas këtyre deklaratave, Goncharenko reagoi në rrjetin social “X”, ku publikoi deklaratën e Zelenskyt, ndërsa në postim përfshiu edhe një fotografi që lidhet me heqjen e sloganit “Free Ukraine” nga Hotel Grand në Prishtinë.
“Ky është një gabim diplomatik. Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe, përfundimisht, Ukraina do ta njohë atë”, shkroi Goncharenko.

Ukraina është një nga shtetet evropiane që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kievi ka ruajtur këtë qëndrim edhe pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë, ndërsa zyrtarët ukrainas kanë argumentuar se çështja e Kosovës duhet të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Goncharenko ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin e politikës së Ukrainës ndaj Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj.
Vizita e Zelenskyt në Beograd dhe qëndrimi i tij për Kosovën kanë shkaktuar reagime të ndryshme, veçanërisht në Prishtinë dhe në mesin e mbështetësve ukrainas të njohjes së Kosovës.
