Filmi ‘Zgjoi”, me regji nga Blerta Basholli ka triumfuar edhe në Francë duke u shpërblyer me çmimin e 13-të ndërkombëtar ”Golden Antigone”.
Kështu ka bërë të ditur vet protagonistja kryesore e këtij filmi, Yllka Gashi përmes një postimi në ”Facebook”.
”Edhe një sukses i radhës për filmin “Hive-Zgjoi” me skenar e regji te Blerta Bashollit!!!
“Hive – Zgjoi” sonte ka triumfuar edhe në Francë, duke u shpërblyer me çmimin e 13-të ndërkombëtar përkatësisht duke marrë çmimin kryesor “Golden Antigone” në edicionin e 43-të të Festivalit Mediteran të Filmit “Cinemed” në Montpellier të Francës”, ka shkruar Gashi.
Ndërkaq, kujtojmë që premiera e këtij filmi është dhënë edhe në Prishtinë përkatësisht në Cineplexx. Të pranishëm në atë mbremje ishin Presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti si dhe personalitete të njohura nga fusha e kulturës.
”Zgjoi”, ka fituar plot tri çmime të rëndësishme në festivalin ”Sundance”, i njëjti është edhe propozim i Kosovës në ”Oscars 2022”, dhe do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë./21Media
