Zgjerimi i shumicës si “Front Proeuropian”/Rexhepi: Do të gjendet mënyrë për arritjen e 80 votave

TË FUNDIT

Zgjerimi i Qeverisë për të formuar të ashtuquajturin “Fronti pro europian” bëhet mbi të gjitha për të izoluar forcat pro ruse në vend, u shpreh deputetja e BDI-së Vjollca Ademi në debatin e mbrëmshëm në Click Plus, duke shtuar madje se dera në shumicë është e hapur edhe për Lëvizjes Besa.

“Përfshin shumicë parlamentare të gjitha ato parti të cilat janë pro europiane…-Po edhe Besa është pro europiane! -Po le të urdhërojë edhe Besa ka vend edhe për Besën!”, tha Vjollca Ademi, deputete BDI-së.

Deputeti Kastriot Rexhepi shprehet më se optimist se do të arrihen 80 vota për ndryshimet kushtetuese. Tha se brenda koalicionit të VMRO-DPMNE-së ka deputetë që nuk pajtohen me politikat e partisë opozitare.

 “Në moment të fundit do të bëhet ndonjë… a do të jetë veprim autonom, si deputetë të cilët e kanë të drejtën kushtetuese, atë që e bëra unë, që të mos e respektojnë pozicionin partiak, se duhet të respektosh pozicionin partiak por kur  e sheh që shkon në të keqen tënde, të shtetit dhe të popullit, në fund të fundit edhe me partinë nëse prishesh nuk është problem”, pohoi Kastriot Rexhepi, deputet i pavarur.

Amir Elezi nga AAA u shpreh se për partinë e tij nuk është problem as hyrja e ASH-së e as çështja e dikastereve, madje shtoi se Kovaçevski as nuk e ka i ka kërkuar Gashit që AAA ta lëshojë ministrinë e Shëndetësisë.

 “Po është i informuar…Selimi: Nga mediat apo… -Jo edhe nga z.Kovaçevski nga takimet paraprake se po bëhen tentime për zgjerim të shumicës dhe kryetari ynë, edhe ne e themi si parti që hajde në fillim ti elaborojmë çështjet se për çfarë zmadhohet kjo shumicë dhe ku jemi me marrëveshjen paraprake që e ka kjo Qeveri me ne si parti që nesër të jemi në pozitë të rinegociojmë një marrëveshje të re”, tha Amir Elezi, Alternativa.

Analisti Sefer Selimi ndryshe e sheh përfilljen e Alternativës si partnere qeverisëse.

 “Siç duhet Alternativa po ex-komunikohet prej komunikimit normal mes partnerëve dhe kjo është një shenjë që ose do të sillet ndonjë pozicion që AAA të pranojë të jetë pjesë e Qeverisë me një pushtet jashtëzakonisht më të vogël ose ndryshe nga ky aktual, ose edhe ta braktisë qeverinë”, deklaroi Sefer Selimi, analist.

Bashkëbiseduesit njëzëri ishin të mendimit se të gjithë deputetët shqiptarë do të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese dhe në asnjë formë nuk do të bëheshin pengesë e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Europian.