Zgjedhjet e parakohshme lokale në Shtip dhe Pllasnicë do të duhet të mbahen në një periudhë kur shteti ka shpallur gjendje krize në gjithë territorin. Si do të realizohen këto zgjedhje kur virusi korona po shpërndahet në mënyrë rapide? Nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve thonë se janë të gatshëm sipas protokolleve shëndetësore të realizojnë zgjedhjet në këto dy komuna.
“Dje ishte shorti sa i përket bilbordeve, nesër fillon fushata zgjedhore, sot e kemi mbylljen e listës zgjedhore dhe kështu me radhë, ashtu siç janë të parapara afatet ligjore në bazë të kodit zgjedhor dhe të kalendarit të afateve ne jemi duke i ndërmarrë të gjitha veprimet në vazhdimësi. Ne si KSHZ jemi duke ndërmarrë të gjitha masat sa i përket shëndetit në rend të parë të qytetarëve, votuesve, poashtu edhe organeve zgjedhore”, theksoi Ditmire Shehu – nënkryetare e KSHZ-së.
Sipas analistit Vlladimir Bozhinovski zgjedhjet në periudhë të gjendjes së krizës, nuk do të japin impaktin e duhur. Bozhinovski vlerëson se ushtruesit e detyrave mund të menaxhonin me komunat deri në shtator të vitit të ardhshëm kur është paraparë që të zhvillohen zgjedhjet e rregullta lokale.
“Do të thosha se këto zgjedhje nuk janë të vlefshme, gjegjësisht nuk do të japin ndonjë ndikim cilësor në ato dy komuna, marrë parasysh se në fillim të shtatorit nëse nuk gabohem do të organizohen zgjedhjet e rregullta lokale, kështu që kryetarët e rinj do të kenë rreth 7-8 muaj, përfshirë edhe verën, dhe nuk mendoj se do të mund të kontribuojnë diçka ose të japin ndikim cilësor, ta tregojnë veten përpara qytetarëve për këtë periudhë të shkurtër”, tha Vlladimir Bozhinovski – analist.
Sipas Bozhinovskit situata me virusin mund të përkeqësohet ngaqë për zgjedhje zakonisht ka tubime masive.
“Shtipi është qytet që është vazhdimisht vatër e Covid-krizës dhe nuk dihet se kjo a mund të sjell rritje të numrit të të infektuarve, e nga ana tjetër kuptohet se vetë situata me covid-krizën do të ndikojë në mos daljen e qytetarëve për të votuar në këto zgjedhje”, theksoi Vlladimir Bozhinovski – analist.
Përndryshe në Shtip nga fillimi i pandemisë janë regjistruar gjithsej 2296 raste pozitive me korona, e për momentin ka 502 raste aktive. Ndërkaq në Kërçovë ku bën pjesë komuna e Pllasnicës deri tani janë shënuar 1023 raste, e aktualisht të infektuar janë 426 qytetarë. Qeveria e RMV-së mbrëmë ka mbajtur seancën e 22-të me qëllim që të fillojë procedura në përputhje me rekomandimet e Këshillit për Siguri për shpalljen e gjendjes së krizës në gjithë territorin e vendit, siç thuhet, me qëllim të përballjes së suksesshme me pasojat e covid-krizës.
